.

Video/Çfarë ndodhi dje ne Open? Debate dhe deklarata të forta pas zërave për një marrëveshje Rama-Basha

Të Enjten në mbrëmje, në emisionin Open në Top Channel, u diskutua rreth zërave për një marrëveshje të mundshme politike mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha.
Të ftuar në studio ishin Av. Spartak Ngjela, Kreu i PAA Agron Duka, Deputetja Rudina Hajdari, aktivisti Endri Shabani si dhe gazetaret Alban Dudushi dhe Enton Abilekaj drejtor i Dosja.al. Gjithashtu nuk munguan edhe lidhjet nga 2 selitë e partive kryesore në Tiranë me gazetarët Met Veliu dhe Elda Menga.

Emisioni që e kaloi minutazhin e zakonshëm u karakterizua nga debate dhe deklarata të forta nga të ftuarit. Agron Duka, aleat i PD-së, sapo e mori fjalën deklaroi se kriza politike nuk mund të zgjidhet me një marrëveshje individuale midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.


Më pas Duka u përfshi në debat me gazetarin Alban Dudushi pasi ky i fundit akuzoi opozitën se ka humbur energjinë e protestuesve dhe se aksioni opozitar ka dalë huq, por Duka ndërhyri duke përmendur kandidatët e PS për bashkitë që janë akuzuar nga Partia Demokratike dhe po faktohet tanimë e shkuara e tyre kriminale.
Av. Ngjela shkoj edhe më tej ku tha se nëse do të ketë një marrëveshje Rama-Basha, ajo do të jetë për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor. Sistemin aktual Ngjela e cilësoi si “sistemi i vdekjes” dhe tha se kjo i intereson Kryeministrit dhe Kreut të Opozitës.

E ashpër me kreun e Opozitës Lulzim Basha u tregua edhe deputetja Rudina Hajdari. Ajo nuk i hodhi poshtë zërat për një marrëveshje mes Ramës dhe Bashës madje deklaroi se diçka e tillë mund të ndodh në fillim të vitit të ardhshëm. Por sipas saj nëse diçka e tillë ndodh, kjo do të shënojë edhe fundin politik të Lulzim Bashës.

Shpesh me deklaratat e deputetes Hajdari dhe qasjen që ajo kishte ndaj Partisë Demokratike nuk ishte dakord gazetari Enton Abilekaj. Sipas tij nuk mund të kritikohet vetëm opozita për situatën në të cilën ndodhet vendi. Abilekaj tha se jemi në kushtet e një qeverie që ka kapur gjithçka ndërsa Hajdari e sheh problemin vetëm tek opozita.

Debatin Abilekaj e vazhdoj me av. Ngjelën dhe me tezën e tij se njeriu më i interesuar që Basha të jetë në krye te PD-së është vetë Rama. Abilekaj i tha Avokatit se flet broçkulla ndërsa ky i fundit i kërkoj që të mbajë gojën.

Një nga kulmet e debatit në Open u zhvillua mes Ngjelës dhe Dukës teksa u shtrua pyetja nëse ka apo nuk ka krizë politike. Dy politikanët e karrierës ndanë mendime të ndyshme. Ndërsa Ngjela ishte i mendimit se nuk ka krizë pasi në Parlament tani ka ardhur një opozitë e re konstruktive, Duka deklaroi se kriza është e gjithëanshme.

Debatin e plotë që u zhvillua të Enjten në mbrëmje në Top Channel mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.