.

“Skanimi” fitoi 1 mln euro brenda vitit. Bilanci zyrtar i një prej koncesionarëve më të shtrenjtë për buxhetin e shtetit

Kompanitë koncesionare vazhdojnë te regjistrojnë fitime të larta në Shqipëri. Kontrata e radhës është ajo e skanimit në dogana.

maune

Sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, vitin e kaluar kompania “S2 Albania”, regjistroi një fitim neto mbi 1 milionë euro nga monopoli i skanimit te kontejnerëve ne dogana.

Koncesioni i skanimit në dogana fitoi 1 milionë euro vitin e kaluar duke ju bashkangjitur kështu listës së gjatë të kontratave fitimprurëse koncesionare në Shqipëri. Sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, gjatë vitit të kaluar kompania “S2 Albania” arkëtoi 1.5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, nga të cilat 127 milionë lekë rezultuan fitim i pastër neto.

Koncesioni i skanimit të doganave u dha në prill të vitit 2013 dhe ishte parashikuar që të paguhej direkt nga biznesi gjatë importit të mallrave në doganë, përkatësisht 40 euro për çdo deklaratë doganore. Por pas rrotacionit politik të vitit 2013 dhe kundërshtimeve të biznesit, veçanërisht atij fason, qeveria e ndryshoi kontratën duke vendosur ta paguajë koston e skanimit direkt nga buxheti i shtetit.

Zyrtarisht koncesioni e skanimit ka hyrë në fuqi në shtator të vitit 2015. Sipas kontratës, kompania S2 Albania do të ketë monopolin e shërbimit të skanimit në dogana për 15 vjet, pra deri në shtator të vitit 2030.

Ky koncesion është një nga më të kushtueshmit për buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, mesatarisht qeveria paguan rreth 1.5 miliardë lekë ose 12 milionë euro në vit për kompaninë koncesionare të skanimit.

Dy vjet më parë koncesioni i skanimit të doganave u vu në qendër të opinionit publik. Një kompania amerikane e quajtur Muddis Waters research përpiloi një raport, në të cilin hodhi akuza të forta se pronari i koncesionit të skanimit kishte paguar ryshfet tek zyrtarët e lartë të qeverisë shqiptarë për të përfituar kontratën e koncesionit.

Çështja u vu nën hetim nga komisioni amerikan i titujve dhe bursës si dhe prokuroria e Californisë, por pas dy vjetësh hetime akuzat u rrëzuan.

Top Channel