.

“Grisi revistën dhe i shkruajti…”, zbulohen mesazhet e çuditshme të Presidentit amerikan


Donald Trump raportohet se ka grisur një foto të revistës “Bloomberg” ku shfaqej Justin Trudeau, ka shkruar një shënim të shkurtër për Kryeministrin kanadez dhe i bëri zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë ta dërgonin me postë në ambasadën e vendit fqinj.

Sipas gazetës britanike “Independent”, mesazhi, i cili u raportua së pari nga “Axios”, thuhet se është shkruar nga Presidenti amerikan në ballinën e grisur të një numri të “Bloomberg Businessweek” të majit 2017, ku paraqitej një imazh i Trudeau me një titull ku lexohej “AntiTrump”.

Në ballinën e grisur, Trump raportohet se ka shkruar një shënim: “Ke dalë bukur! Uroj të mos jetë e vërtetë!”, sipas disa mediave amerikane.

Ambasadori kanadez e konsideroi shënimin aq të çuditshëm, sa mendoi se ishte një marrëzi, por më pas telefonoi zyrtarët amerikanë, të cilët konfirmuan se shënimi ishte i vërtetë.

Megjithëse disa punonjës të Shtëpisë së Bardhë raportohet se e konsideruan shënimin si të papërshtatshëm, Këshilli i Sigurisë Kombëtare vendosi përfundimisht që ai ishte bërë në humor të mirë dhe do të konsiderohej nga Otava si një kontakt miqësor.

 

Në një tjetër shkëmbim në dhjetor të atij viti raportohet se Trump i dërgoi Trudeau-së një dokument për të treguar një deficit tregtar amerikan me Kanadanë. Trudeau thuhet se u përgjigj duke përfshirë në letrën e tij një printim të një uebsajti të qeverisë amerikane, në të cilin tregohej se Amerika në të vërtetë ka një suficit tregtie me Kanadanë, ku shërbimet përfshihen me mallrat.

Kryeministri kanadez raportohet se përfshiu edhe një emoji me fytyrë buzëqeshjeje krahas dokumentit.