.

Bes Kallaku zbulon portretin e vajzës për herë të parë dhe bën dedikimin emocionues

 

Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj u bënë prindër fiks një vit më parë. Ata vendosën ta quanin vogëlushen e tyre Ajka, por kanë qenë gjithmonë shumë hermetikë përsa i përket publikimit të pamjes së saj të plotë. Sot, në 1 vjetorin e saj, Besi ka vendosur të zbulojë pamjen e vogëlushes me një portret familjar që duket të jetë shkrepur disa orë pas lindjes së Ajkës. Sigurisht krahas fotos, nuk mund të mungonte dhe një dedikim i ndjerë nga ana e aktorit, i cili i ka shkruar vajzës së tij fjalët më të bukura.

“O Ajka e jetës, urime ditëlindjen tënde të parë. Unë nuk do të të shkruaj shumë gjatë, sepse mami yt ka 3 ditë që po shkruan urimin për ty dhe ende nuk e ka mbaruar. Ç’ti bëjmë qaramanes? Egziston një forcë aq e madhe tërheqëse në botë që quhet ‘DASHURI’. U rritsh me dashuri dhe dhënç vetëm dashuri. Lutu gjithmonë që të kesh sy që shohin më të mirën tek të tjerët. Të kesh zemër që fal të keqen, mendje që harron të keqen dhe një shpirt që nuk e humbet kurrë besimin e zotit. Ne po të mësojmë si të ecesh vetë, si bën qeni dhe macja, si të thuash ‘Besi’ dhe ‘Xhensila’ (Këtë mezi e shqiptojnë dhe të rriturit në fakt), po sa po mësojmë ne nga ty dhe sa po rritemi ne prej teje. Ta dish që të dua aq shumë sa kam mësuar çdo këngë fëmijësh përmendësh, nga ‘Johny Johny Yes Papa’ tek ‘Baby shark’. Ajka, o lul’e bukur e gjakut tim”, ka shkruar aktori.

Komentet kanë qenë të shumta, qoftë nga fansat e çiftit apo nga kolegët e tyre, të gjithë duke shprehur dashamirësinë e tyre.