.

Ditët e agonisë së pluralizmit në Shqipëri dhe shanset e fundit për ndërhyrje!

 

ARTAN FUGA

Nëse në zgjedhjet e 30 qershorit partitë qeveritare rreth Kryeministrit hyjnë vetëm, pa pjesëmarrjen e partive reale opozitare, demo-kracisë dhe pluralizmit në Shqipëri i ka ardhur fundi! Ta çojmë në varreza, ta qajmë aty, politikanët të mbajnë fjalimet e rastit dhe mbi pllakën e gurtë të varrit të shkruhet:11 dhjetor 1990-30 qershor 2019
Këtu prehet pluralizmi shqiptar!
Vdiq i ri!
E vranë në sherr e sipër!
Ju o kalimtarë që shkoni këtej hidhni një lot, vini një gjethe dafine dhe mendoni se njeriu sado të rritet, mbetet një fëmijë e i papërgjegjshëm!
Shqipëria prehet poshtë këtij guri varri!
Varrosja e pluralizmit shqiptar e dëmton deri në palcë popullin dhe kombin shqiptar anembanë trojeve të veta!

Qani edhe ju që nuk keni lindur ende, edhe ju të vdekur!

Brezi jonë ju vrau pa lindur dhe ju rivrau përsëri!

Kush është fajtori? Të gjithë! Llogaritë i bën Zoti në botën tjetër kur të gjithë politikanët nëse nuk tërhiqen, në ferr do t’i çojë. Pas tyre edhe ne të tjerët! Porta e parajsës është mbyllur!

Pamjet filmike nga Librazhdi a Përrenjasi dje kur populli në rrugë thërriste: Ik, ik dhe eskortat e Policisë mbronin të ardhurit dhe Kryeministrin me makina blind që iknin si të çmendura, duke rrezikuar qytetarët rrugëve a trotuareve, ishin prova e asaj që do të ndodhi në ditët dhe vitet që do të vijnë.

Zgjedhjet janë të pamundura kështu për ne qytetarët. Mes breshëri gurësh, sirenash policie, sherresh mes nesh!

Asimetria në mjete dhe vendosja e shtetit, e Forcave të Armatosura dhe e Policisë në shërbim të një force politike qeveritare për të mbrojtur përfaqësuesit e saj nga populli që pretendon se do ta përfaqësojë, treguan dje dhe në vazhdim se nuk mund të ecet kështu!

A ka zgjidhje?
Po! Po! Po!
Nga analiza e gjendjes ka të paktën 5 opsione për të gjendur një zgjidhje jo për të
kënaqur palët, por për të bërë ato akte kirurgjikale që ta shpëtojnë pluralizmin shqiptar
nga vdekja e sigurt në ditët që vijnë!

Ka 5 opsione të shkëlqyera!

Por politikanët të heqin dorë fillimisht nga mjetet e dhunshme.

Po, është dhunë ta çosh kryetarin e opozitës para zgjedhjeve në Prokurori. Pluralizmi ka mbaruar!

Po është dhunë t’i bësh gjyqin ostracist Presidentit të Republikës në një seancë llafollogjie në një Kuvend me deputetë, që marrin urdhra dhe mund të votojnë edhe nëse u thuhet: “Gomari fluturon”.

Po është akt dhune edhe të gjuash eskortën e Kryeministrit me gurë!
Këto janë zgjedhjet që na shërbeni o politikanë ne qytetarëve?!
Këto quani shprehje e vullnetit qytetar?
Kjo është qetësia që meriton qytetari kur të shkojë të hedhë votën në kuti?
Midis shkopit të policit dhe vëzhgimit të militantit që i mban shënim emrin në bllok duke
e survejuar nga ballkoni?
Çfarë talljeje po na bëni!
Vetëm një popull budalla mund të votojë kështu!
Pse? Sepse paskeni prerë datën e dasmës dhe krushqit nuk mund të kthehen më mbrapsht!

O na jepni çupën sot për nuse, o u premë me thika për një qind breza me njëri-tjetrin!

Në legjenda mijëvjeçare do të hyjë kjo javë!

Aristoteli, Makiaveli, Loku, Hobsi, Rusoi, Monteskjei do të na shihnin nga qielli dhe do të thoshin: Ja shqiptarët, kombi më idiot, më budalla, më shtetshkatërrues në Europë!

Kështu duam të na pranojë Europa!
Ne meritojmë të hidhemi në det po vazhduam edhe pak ditë kështu!
Ka 5 opsione të shkëlqyera!
Ka universitarë që i mendojnë këto, i kanë këto zgjidhje, por askush nuk dëshiron t’i dëgjojë!
Politikanët kanë nxjerrë shpatat me njëri-tjetrin.
Akademikë të korruptuar, senilë nga mendja dhe të bufatur, heshtin si minj!
Populli sheh një spektakël dhune me përbuzje dhe mendon se çfarë të bëjë: të kapë gurët, apo të marrë dhenë?!
Ai fyhet çdo herë që sheh skena dhune sepse janë kërcënime kundër tij!
Rri urtë o skllav, o raja, o palaço, o turmë! – duket sikur i thonë.
Nuk do të ketë kryetar bashkie, politikan, qytetar që pas 30 qershorit do ta nisi e do ta ngrysi ditën si njeri.
Ka 5 opsione, mund të ketë edhe 50.
Por fillimisht duhet ndërhyrë për të mos e lënë të sëmurin në agoni të vdesë në mënyrë të sigurt në 30 qershor.
Mos shpresoni se do ta shëroni me barna popullore!
E sigurt, vdekja!
As duke u rrahur dhe çjerrë sipër shtratit të tij për trashëgiminë!
Ju doni ta vdisni sa më shpejt!
O sot, ose përgatituni për varrimin e madh ku poshtë gurëve do të shkruhet:
Këtu prehet pluralizmi shqiptar!
Vdiq i ri!
11 dhjetor-30 qershor 2019!
E vranë politikanët!
Shqiptarët janë budallenj!
O kalimtar, mos kalo më këtej