.

Tërmeti/Banorët në Floq ende në çadra dhe shkolla, asnjë banesë e siguruar.Kompanitë:Kushton më pak se 500 lekë në muaj

E ndërsa kanë kaluar afro dy javë nga tërmeti që shkundi fshatin Floq në Korcë, ku mbi 100  shtëpi u dëmtuan e afro 65 u shembën tërësisht, banorët vazhdojnë të enden akoma në strehimet e përkohshme si çadra apo ambjente shkollash.
Të pyetur nga gazetarët nëse i kishin të siguruara banesat e tyre ata janë shprehur : Jo !
Arsyeja kryesore e mos sigurimit, sipas banorëve është gjendja e vështirë ekonomike që  ndodhen dhe ata nuk mund të përballojnë shpenzimet per sigurim.
Por realisht : sa kushton në vit sigurimi i një banese, që u është dëmtuar këtyre banorëve të Floqit dhe
po ta kishin siguruar do të ishin të qetë për rindërtimin në kohë të shpejtë të tyre?
Për këtë ne pyetën disa kompani sigurimi në vend.
A e dini se sigurimi i një banese ,në muaj , një shqiptari do ti kushtonte afro 4.1 euro?
Pra për afro 500 lekë në muaj qytetarët shqiptarë sot lënë pa siguruar një nga investimet më të rëndësishme në familje sic është prona. Aktualisht, sigurimi i një banese pranë kompanive të sigurimit fillon nga 50 euro në vit dhe ndryshon sipas zones, llojit të banesës, etj.
Siguruesit sqarojnë për publikun se :”Cdo konsumator që ka nënshkruar një kontratë sigurimi për banesën nga zjarri, termeti dhe përmbytja, në rast dëmi përfiton dëmshpërblim në varësi të dëmit të ndodhur pasi ka paraqitur kërkesën për dëmshpërblim. Siguruesi do të dëmshpërblejë të Siguruarin për dëmin e shkaktuar. Detyrimi i Siguruesit për dëmshpërblim kufizohet deri në masën e shumës së siguruar.”

Falë edhe teknologjisë dixhitale, kompanitë e sigurimit i drejtohen klientit me të gjitha mënyrat për t’i
informuar – me anë të rrjeteve sociale, faqeve të tyre zyrtare, aplikacioneve etj.
Po cilat janë hapat që ndjek një kompani për marrjen në sigurim të një banese ?
“ Fillimisht klientëve u jepet informacioni i plotë në lidhje me kushtet e përgjithshme të kontratës së sigurimit, tarifimin e primit dhe përfitimin në rastin e ndodhjes së dëmit sipas rreziqeve. Me nisjen e procedurës së marrjes në sigurim inspektohet banesa në terren. Inspektimi në banesë konstaton në verifikimin jo vetëm të zonës, por edhe të kushteve teknike.”

Qytetarët që tashmë ia dinë vlerën sigurimit janë krysisht pronarët e vilave dhe apartamenteve të përqëndruara në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Korçë, ndërkohë që siguruesit garantojnë mbulim në të gjithë Shqipërinë.
Edhe pse qeveria në raste fatkeqësish premton ndërhyrje dhe rindërtim të shtëpive, shoqëria duhet të ndërgjegjësohet që sot askush nuk ka pse paguan fatkeqësinë që i kanoset një tjetri, nga zjarri, tërmetet
apo përmbytjet. Cdo njeri duhet të krijojë kulturën e kujdesit ndaj pasurive dhe pronave të tij në mënyrë që nesër mos të mbetet i befasuar dhe mos të presë fatin e ndihmave, donacioneve apo fondeve nga qeveria, të cilat kërkojnë kohë për të plotësuar të gjitha procedurat që duhet të ndiqen për lëvrimin e tyre.

Në fakt, edhe vetë kryeministri Edi Rama është koshient që sigurimi është rruga normale që ndiqet në cdo vend për të kompensuar dëmet në rast fatkeqësish, por mesa duket mungon vullneti politik pët ta nxitur edhe më tej këtë kulturë në Shqipëri, pse jo duke e përcaktuar edhe me ligj si të detyruar në mënyrë që fatkeqësi të ndryshme mos të rëndojnë në buxhetin e shtetit.
Kryeministri Rama, gjatë takimit elektoral me banorët e Njësisë nr.10 në kryeqytet, teksa foli për pasojat e tërmetit në Floq e pranoi se në gjithë botën kështu funksionon, që cdo qytetar paguan për të siguruar pronën e tij.
“Prap njërëzve u duket sikur po i thua paguaj prap një taksë tjetër, mirëpo gjithë bota ashtu e ka : Sigurohu dhe hajt mirupafshim! Në Florida për shembull që janë ato uraganët e tmerrshëm, praktikisht ata nuk kanë probleme, në momentin që ikin nga shpia, ja merr shpinë uragani dhe ata marin dëmshpërblim nga sigurimet.Faktikisht aty shteti nuk paguan asnjë gjë përvec infrastrukturës.Pra nuk jep dëmshpërblime për njërezit sepse janë të siguruar. Pra paguajnë nga pak çdo herë por ju del shumë kur ju ndodh dicka.”- tha Rama./D.Shkembi.