.

Reforma në Drejtësi, si një realitet i helmuar nga lëvdatat!

 

Petrit Vasili
Reforma në Drejtësi, e imagjinuar si një proces i thellë transformimi i drejtësisë, u duartrokit pa kursim që pa nisur.

U duartrokit “nxehtësisht” edhe ndërsa ajo hartohej. Vazhdon te duartrokitet edhe sot, kur realiteti i implementimit të saj në mjaft momente kyçe është tërësisht zhgënjyes dhe kapja e saj është një realitet i pakundërshtueshëm.

Integriteti i ri i drejtësisë së re do të ishte vija ndarëse me drejtësinë e vjetër.

A arriti dot të triumfonte ky integritet i ri? Sigurisht që jo! Mbushja e organeve të qeverisjes së gjyqësorit me njerëz pa integritet shënoi goditjen më të rëndë të Reformës në Drejtësi, sepse morali i kësaj reforme rezultoi të ishte në mjaft raste më i ulët se drejtësia që lamë pas.

Mbi gjysma e anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së kishin probleme të rënda integriteti, e provuar kjo edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, si dhe nga burime të tjera verifikimi.

Loja e shëmtuar e bllokimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), për shkak se përbërja e tij, e dalë nga një procedurë hedhjeje shorti plotësisht ligjore, nuk i pëlqeu qeverisë, ishte një goditje shumë e rëndë për reformën. Shpërbërja e KED-it dhe ringritja me mekanizma antiligjore të hedhjes së shortit për të arritur te KED-i që i duhej qeverisë, është ligjërisht dhe moralisht një atentat kushtetues ndaj reformës.

Zbatimi i një vetingu selektiv dhe politik ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me qëllim eliminimin e saj ishte praktikisht asgjësimi i çdo mundësie që Drejtësia të kishte institucionin, ku çdokush mund të ankohej për implementimin e Reformës në Drejtësi.

Gjykata Kushtetuese ishte i vetmi institucion integriteti, që kishte qëndruar qartë mbi palët, që respektonte pa mëdyshje Kushtetutën dhe që kish dhënë dhjetëra vendime kundër maxhorancave të djathta e të majta, duke u vlerësuar në këtë mënyrë si institucioni më solid i drejtësisë shqiptare, i vlerësuar edhe ndërkombëtarisht.

Vetingu ndaj Gjykatës Kushtetuese ishte një veprim i qeverisë në funksion të strategjisë së kapjes së drejtësisë nga Rilindja dhe pamundësimin e pengimit të kësaj kapjeje.

Ndërsa vetingu i trumbetuar aq zhurmshëm nga propaganda si asgjë tjetër, po shënon përditë ngjarje të njëpasnjëshme që provojnë se ky veting është selektiv, me dy standarde, joprofesional dhe se trupat e vetingut kanë në përbërje persona me integritet profesional dhe moral mjaft të ulët. Këta persona nuk do të kalonin dot as vetë asnjë veting të rregullt e jo më t’u bënin vetingun të tjerëve.

Këto dhe mjaft e mjaft fakte të tjera kanë bërë që nga një mbështetje të publikut me mbi 90% për Reformën në Drejtësi, të arrijmë sot brenda pak kohe në një mosbesim që kalon 63 %. Pra, publiku është shumë i qartë në vlerësimet e veta, publiku është i zhgënjyer thellësisht dhe rrënimi i frymës konsensuale të miratimit të ndryshimeve kushtetuese të 21-22 korrikut 2016 është sot fakt i pakundërshtueshëm.

Ndaj, duartrokitjet, ekzaltimet qesharake, apoteozat e një reforme të suksesshme që në fakt nuk ekziston, janë realisht një dëm akoma më i madh sesa vetë drejtësia që synuam të lëmë pas. Ndërkombëtarët që i bien në mënyrë butaforike daulles së këtij suksesi imagjinar, po i sjellin një dëm akoma më të madh asaj. Insistimi politik e propagandistik i tyre, thjesht ka deformuar qëllimin dhe thelbin e saj.

Misionet ndërkombëtare të asistencës në drejtësi, që në vend të kritikës zgjodhën alibi të turpshme, siç qe rasti flagrant i zgjedhjes së prokurorit të përgjithshëm, e mundësuan dhe ligjëruan kapjen e saj nga qeveria. Sot është koha që të gjithë këta korifenj të lënë duartrokitjet si dhe lëvdatat boshe në shqip e në anglisht, por të ulen të skuqur në tavolinë për të reflektuar dhe vënë gishtin në plagë, sepse janë shkaktarë e fajtorë për një ëndërr që u kthye në një makth. Sot, përfundimisht, Reforma në Drejtësi është një realitet fake, i helmuar nga lëvdata.