.

Finalja “merr në qafë” Strakoshën, rrezikon ndeshjet me kuqezinjtë

 

Thomas Strakosha do të ribashkohet me Edy Reja. Kësaj here nën ngjyrat kuqezi, jo ato bardhekaltër të Lazios. Sidoqoftë, ky pikëtakim i radhës duket se do të shtyhet në kohë, nuk do të ndodhë për dy kualifikueset e radhës, që kombëtarja shqiptare do t’i luajë me Islandën dhe Moldavinë (më 8 dhe 11 qershor). Portieri 24-vjeçar është i dëmtuar dhe nuk u grumbullua fare nga Simone Inzaghi për ndeshjen e së hënës në Serie A, kundër Bologna.

Strakosha ka shqetësime fizike, që e mundojnë prej disa javësh, ç’ka e ka kushtëzuar në stërvitje dhe ndeshje. Duke dashur të mos e ndërlikojë më tej situatën, trajneri Inzaghi e kursyer në sfida të ndryshme portierin shqiptar. Vetëm në finalen e Kupës së Italisë, Strakoshës iu kërkua të bënte një sakrificë dhe të luante me injeksione, për të mos ndier dhimbje gjatë ndeshjes. Ishte pikërisht ky aktivizim i sforcuar, që e ka përkeqësuar gjendjen fizike të 24-vjeçarit, sa ta ketë të vështirë të stërvitet, jo më të luajë. Klubi bardhekaltër po e mban në kontroll të rreptë mjekësor, duke mos rrezikuar më asgjë.


Në funksion të kësaj, duket thuajse i pamundur edhe angazhimi me kuqezinjtë për dy kualifikueset e qershorit, në kuadër të “Euro 2020”. Një fat i keq për portierin, sepse ai mungoi në kombëtare edhe në dy ndeshjet e kaluara, pas vendimit të ish-trajnerit Christian Panucci për ta lënë jashtë, pasi kërkoi leje për të ardhur pak me vonesë në grumbullim. Mbetet të konfirmohet zyrtarisht nga FSHF-ja, por edhe nga Lazio, nëse Strakosha do të vijë për kontroll tek stafi mjekësor kuqezi, apo do të vijojë riaftësimin në kryeqytetin italian.