.

Video/ Të enjten në “Open” nga përplasjet Balla-Gjata tek deklarata e Ngjelës për negociatat

Emisioni “Open” diskutoi të enjten mbi mundësitë e zgjidhjes së krizës politike që ka mbërthyer vendin, me të ftuarit në studio Carlo Bollino, Spartak Ngjela, Berat Buzhala dhe Clirim Gjata si dhe me Taulant Ballën në një lidhje direkte. Numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se nëse PD dhe LSI do të deklarojnë hapur se duan të futen në zgjedhje, atëherë do të gjendet mundësia që këto forca politike të futen në zgjedhje, por hodhi poshtë çdo mundësi që zgjedhjet të mos mbahen në 30 qershor.

Ndërkohë, Çlirim Gjata deklaroi se Rama po vesh ushtrinë policë dhe të fortët e lagjeve.
Sekretari për Çështjet Ligjore në PD tha: “Ku do gjejë 30 mijë policë qeveria për t’ju kundërvënë popullit” duke nënvizuar edhe një herë qëndrimin e opozitës se në 30 qershor nuk do të mbahen zgjedhje.

Nga ana e tij, Avokati Spartak Ngjela ka deklaruar se presioni i Partisë Demokratike ndaj mazhorancës mund të jetë i arsyeshëm, por nuk duhet të preket e drejta e qytetarëve për të votuar. Ngjela tha se aksioni politik i PD-së nuk ka pasur një mbështetje të madhe popullore, por edhe ndërkombëtare. “Perëndimorët e shikojnë Partinë Demokratike si asset kombëtar dhe nuk e prishin për dy lider, ndaj arbitri ndërkombëtar do të ndërhyjë në kohën e vendin e duhur”, tha Ngjela.

Ngjela ka shkuar më tej duke thënë se nëse PD nuk pranon të bëjë negociata me Edi Ramën, atëherë në tryezë përballë tyre për të negociuar krizën do të ulet Taulant Balla.

Debati në Open shpesh herë u përfshi nga përplasje të forta mes Taulant Ballës dhe Çlirim Gjatës si dhe këtij të fundit dhe gazetarit Carlo Bollino.