.

Gaz Paja dasmë në verë, misteri i vajzës bionde që i mbushi mendjen aktorit për t’i thënë “po” martesës 40 vjeç

Aktori i njohur i spektaklit të humorit “Portokalli”, Gaz Paja, mesa duket këtë verë do t’i japë fund beqarisë, pasi ka mbushur moshën 40 vjeç. Së fundmi, po përflitet se Paja do të kurorëzojë në martesë dashurinë e tij me partneren bionde, Irën.

Gazi është munduar që lidhjen e tij ta mbajë larg syrit të mediave dhe rrallëherë është shfaqur në publik me të, por duket se kjo vajzë, që ai e ka përkufizuar si “e bukura e dheut”, e ka bindur për të marrë vendimin e rëndësishëm.
Gjithashtu, thuhet se aktori i humorit po përgatitet për një dasmë të madhe që do të bëjë zhurmë në showbiz, të kuruar në detaje dhe me shumë të ftuar VIP. Ende nuk është mësuar data që Paja do t’i japë fund beqarisë me bukuroshen bionde, por një gjë është e sigurt, që kjo do të jetë vera që do të shohim Gaz Pajën dhëndër.

Për fansat e tij, ky është një lajm i madh, duke qenë se një artist sqimatar si Gaz Paja nuk ka qenë e thjeshtë që të bindet për këtë hap të rëndësishëm në jetën e tij. Lind pyetja, ku qëndron misteri i biondes së bukur, e cila nuk njihej aspak në publik deri ditën kur u fotografua nga paparazzi në krah të Pajës dhe u zbulua se kjo ishte e dashura e tij. Që shoqërohej me të dihej, por që e kishte seriozisht, u zbulua në dasmën e mikut të tij Bes Kallaku, ku ai u shfaq i shoqëruar me partneren e zemrës në atë ceremoni.
Ndërsa i ftuar në “Wake Up’, ai për herë të parë pranoi që është në një lidhje dashurie. Tashmë, ai e kishte gjetur njeriun e zemrës, madje u shpreh se ajo e bën të ndihet shumë, shumë mirë. Ndonëse diskret për jetën e tij private, ai rrëfeu ndër të tjera se e dashura e zemrës është njeri shumë i kuptueshëm përballë natyrës impulsive të tij. Një vit më parë, Gazi u shpreh se për momentin po jetonte lidhjen, por martesa nuk ishte ende në planet e tyre.

Dhe duket se brenda 12 muajve gjërat kanë ndryshuar me shpejtësi, pasi ai tashmë ndihet gati. Më pas, nuk munguan fotot e tij me të dashurën, duke shkëmbyer intimitet në publik. Sipas mediave, aktori i njohur i spektaklit të humorit “Portokalli”, Gaz Paja, duket se ka rënë në dashuri kokë e këmbë me të dashurën e tij aktuale, një bionde sharmante, por të panjohur në publik.

Për herë të parë u fol për këtë lidhje të re të artistit verën e 2017-ës, pasi u panë dhe u fotografuan në plazhet e jugut, ku Paja kalon muajt e verës. Më pas, paparazzi i “Panorama Plus” e fotografoi Pajën dhe të dashurën e tij në një moment “hot” në një nga club-et e Tiranës, ku dukej që nuk përmbahen kur janë pranë njëri-tjetrit. Duke shijuar nga një gotë alkool dhe muzikën e fortë, ata u kapën duke shkëmbyer prekje e puthje në publik, gjeste që tregojnë se lidhja e tyre është shumë e fortë dhe pasionante.

“Simpatike, e bukura e dheut. Është bionde, e gjatë, e buzëqeshur, elegante, pozitive, i qeshin syçkat kur shikon Gazin”, ishin përshkrimet e moderatorëve të “Wake up”, duke qenë se ata e njohin nga afër të dashurën e tij. Pasi i dëgjoi, Gaz Paja nuk hezitoi të tregonte më shumë nga lidhja, duke u shprehur se është një romantik i vërtetë, se i dedikon asaj këngë dashurie.
Sipas tij, janë çifti perfekt. “Nuk kemi akoma as bashkëjetesë, as unazë. Jemi në procesin e njohjes, mirë po shkon. Unë jam tip impulsiv, ajo është ndryshe, që është diçka shumë e mirë”. “Ndihem mirë, është një vajzë që më fal qetësi, është shumë e sjellshme, e dashur, korrekte, më bën të ndihem shumë mirë”.

Më parë, në 2011-ën, Gazmend Paja është përfolur për një lidhje me një vajzë, me të cilën shoqërohej në eventet publike. Por kjo lidhje mori fund dhe pas 6 vitesh ai nisi të flasë publikisht për një lidhje të re. Le të shohim se si do të duken në altar Gazi dhe Ira, ndërsa do i premtojmë dashuri të përjetshme njëri-tjetrit.

PANORAMA PLUS