.

Capello “spiunon” Realin, trondit me shumën stratosferë të merkatos

Real Madridi do të jetë një nga klubet më aktivë në merkaton e verës. Kjo është ajo që beson dhe pohon Fabio Capello, i cili foli te “Sky Italia” rreth potencialit ekonomik të të bardhëve, për ta përforcuar grupin e lojtarëve në dispozicion të Zidane. “Drejtues nga andej më thonë se Real Madridi ka për të shpenzuar 500 milionë euro në merkaton e kësaj vere”, – zbuloi ish-trajneri i “Los Blancos”. Capello ngulmoi në këtë informacion gjatë një ndërhyrje televizive, në të cilën dha një detaj më shumë: “Unë kam qenë në Barcelonë këtë javë dhe këtë shifër ma konfirmoi edhe njëri, që di shumë për Real Madridin…”

Vetëm një javë më parë, ish-trajneri i të bardhëve shprehu mendimin personal për qasjen strategjike të Real Madridit: “Isha i habitur që Zidane u kthye, por mendoj se tani ka më shumë fuqi se herën e parë”. Capello ishte më i paqartë, natyrisht, kur u pyet se me çfarë sulmuesish duhet të nënshkruajë Real Madridi për sezonin e ardhshëm: “Ekzistojnë tre, ose katër sulmues të mirë, të cilët bëjnë për madrilenët, por kjo varet vetëm nga Zidane dhe ata që janë përgjegjës për merkaton”.