.

“Ikim se shiko si e ka bërë Berisha partinë”, Paloka zbulon bisedën me Arben Imamin

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, mbrëme përballë gazetarit Adi Krasta ne emisionin e tij, “AShow” në News 24, pranoi se nuk ka qenë kurrë pjesë e klaneve apo grupimeve në këtë parti.

“Kam pasur gjithmonë linjën time, kam shmangur grupimet. Mendimet e mia i kam thënë gjithmonë, qoftë Sali Berishës, qoftë Lulzim Bashës, madje i kam thënë shumë më tepër sesa ato që dalin dhe flasin në publik”, tha Paloka, duke sjellë në kujtesë një episod në vitin 1992. Kohë, kur doli edhe grupimi i parë në PD kundër.

“Më ka thënë Arben Imami në atë kohë që Edi duhet të ikim nga PD sepse Sali Berisha e ka bërë kështu e ashtu partinë. I kam thënë atëherë nëse është kështu siç thua ti, çfarë do të ndodhë me PD nëse ikim të gjithë?”, tha Paloka.

Teksa u ndal në vendimin per djegien e mandateve në grup nga ana e opozites, Paloka deklaroi se ai e kishte idenë që një gjë e tillë të behej pak përpara zgjedhjeve vendore.

“Pas mitingut të madh të 16 shkurtit, ishim gjithmonë në presionin e njerëzve. Njerëzit i kishim me vete, i kishim ezauruar të gjitha përpjekjet e tjera, na kishte mbetur vetëm rruga e djegies së mandateve. Veç situatës së krijuar në Kuvend, dolën edhe faktet e reja të blerjes së votave, ku ishin përfshirë personazhet kryesore të PS me personazhet kryesore të krimit”, tha Paloka, duke theksuar se kriza politike në vend do të zgjidhet sipas kushteve të opozitës.

“Nuk janë kushte, por një kërkesë normale që në këtë vend të ketë zgjedhje normale. Mund të them se në 2005 apo në 2013 vlerësoj momentet e rotacionit, por ka ardhur koha që të ketë zgjedhje normale, të bëhen zgjedhje të pranueshme”, tha Paloka.