.

Shqipëria, vetëm marrëdhënie të shkëlqyera ndërkombëtare

PËLLUMB NAKO
Në vendin tonë aktualisht vizitat e niveleve të larta politike në kuadrin dypalësh po bëhen gjithmonë e më të rralla. Dhe ato pak që bëhen, u përkasin problemeve të lidhura me sigurinë publike, migracionin dhe luftën kundër krimit. Rëndom, këto lloj vizitash nga jashtë-brenda etiketohen si vizita nga halli. E tillë ishte edhe ajo e ministrit të Drejtësisë dhe të Sigurisë së Holandës, e realizuar para disa ditëve në vendin tonë. E zhvilluar në një kuadër kur grupime të ndryshme politike në Holandë kërkojnë rikthimin e vizave për shtetasit shqiptarë, kjo vizitë nuk të lë shije suksesi për vendin tonë, me gjithë fjalët e mira për bashkëpunimin. Kur zhvillohen në kah të kundërt, nga brenda-jashtë, si në rastin e vizitës së ministrit tonë të Brendshëm në Francë, termi i përdorur është “e thirrën”. Edhe kjo vizitë u zhvillua në të njëjtin kontekst. Problematika e azilit, e emigracionit të paligjshëm dhe e të miturve shqiptarë te pashoqëruar vazhdon të jetë e pranishme edhe në këtë vend. Pas një uljeje drastike të kërkesave për azil nga ana e shtetasve shqiptarë gjatë vitit 2018, duket se fillimi i këtij viti ka shënuar përsëri rritje. Për pasojë, shqetësimi i autoriteteve vendore franceze e ndjekur nga vizita e ministrit në Francë.

Vizita e tij në Francë gjeti një pasqyrim më të gjerë në media. Sidomos në rrjetet elektronike të Ministrisë së Brendshme dhe në vetë mjetet e komunikimit të ministrit.

Ajo që të bie në sy dhe që tashmë është kthyer në modë, është fakti se vizita të tilla publikut i paraqiten si një triumf. Si një sukses i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, si konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet saj, në rastin konkret me Francën. Dhe për këtë gjë ne duhet të ndihemi krenarë dhe të kënaqur me qeverinë.

Pikërisht këtë fakt ka nënvizuar edhe ministri i Brendshëm në “Twitter”-in e tij, madje dhe me germa të mëdha për ta spikatur akoma më shumë: “Konstatoj me kënaqësi se bashkëpunimi midis Ministrisë së Brendshme franceze dhe të Shqipërisë është në nivel të shkëlqyer, ashtu si dhe u konfirmua nga ministri francez”. Dhe për çdo dyshues apo dashakeqës të mundshëm të këtij niveli kaq të lartë bashkëpunimi, paraqitet edhe linku në gjuhën frënge.

Sipas komunikatës për shtyp, problemet për të cilat u diskutua ishin të lidhura me emigracionin e paligjshëm, me abuzimin me azilkërkimin, me të miturit e pashoqëruar që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare, si dhe me luftën kundër rrjeteve kriminale që organizojnë emigracion të paligjshëm. Nuk u harrua të theksohet edhe fakti se Shqipëria konsiderohet vend i sigurt, ndaj dhe kërkesat për azil janë pothuaj të pamundura për t’u pranuar. Pala franceze në komunikatën e mësipërme foli për “azil efektiv” ose më saktë azil të merituar. Jo abuzime.

Natyrshëm, ndërmend të vjen menjëherë një pyetje në retrospektivë: Si ishin marrëdhëniet ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Francës dhe asaj të Shqipërisë në tetor të vitit 2010, kur ministri i Brendshëm i Francës së bashku me kolegët e tij europianë vendosën liberalizimin e vizave për shqiptarët? Kur fenomeni i azilkërkimit, i emigracionit ilegal dhe i të miturve të pashoqëruar ishte në kuotat minimale? Sigurisht të shkëlqyera. Të shkëlqyera, edhe sot pas nëntë viteve. Pra, shkëlqimi vazhdon.

Po problematika që ekziston ndërmjet dy vendeve tona në fushën e sigurisë, azilit dhe migracionit, gjatë këtyre viteve ka ndryshuar? Ka shkuar drejt rëndimit apo drejt përmirësimit?

Ky është thelbi. Marrëdhëniet nuk kanë arsye për të mos qenë të shkëlqyera. Sepse qasja ndaj brisqeve, që u vjen vendeve europiane në tërësi dhe Francës në veçanti nga vende si i yni, është ajo e bashkëpunimit të shkëlqyer. E ndihmës dhe mbështetjes. Forcimit ekonomik dhe të institucioneve. Futjes në rrugën e integrimit. Rritja e Shqipërisë është siguri më shumë për vendet europiane. Dhe e keqja duhet goditur në rrënjë. Thjesht, është strategji. Problemi është të shihet se çfarë bën qeveria shqiptare për qytetarët e saj.

Kur në vitin 2010 Franca miratoi liberalizimin e vizave me Shqipërinë, kushti kryesor ishte hartimi i një legjislacioni që hiqte mundësinë e kërkimit të azilit. Po ashtu forcimi i sigurisë dhe i shtetit të së drejtës. Dhe Shqipëria u konsiderua vend i sigurt. Por ky status, në fund të fundit, është një standard minimal për sigurinë e një vendi. Jo i plotë. Një nivel i tillë garanton liritë politike, por jo mbrojtjen e jetës së qytetarit të një shteti nga çdo kërcënim. Pra, statusi “vend i sigurt” njihet si mjet juridik i shtetit francez në raport me kërkesat për azil. Sepse në “Librin e Bardhë” të Presidentit francez, që ka të bëjë me strategjinë e mbrojtjes dhe të sigurisë së Francës, Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor cilësohen si vende me risk, që e rrezikojnë sigurinë e këtij vendi për shkak të shtetit të dobët. Paaftësisë që kanë për të luftuar krimin e organizuar, ruajtjen e kufijve etj.. Statusi “vend i sigurt” i krijon mundësinë ligjore shtetit francez të minimizojë miratimin e azilit për shtetasit shqiptarë, të përshpejtojë afatet e procedurave dhe t’ua njohë atë individëve që kanë vërtet nevojë. Pra, nuk e zhduk tërësisht hapësirën për azil. Nuk bëhet fjalë për azil politik, por shteti francez merr në mbrojtje një jetë realisht të kërcënuar në kushtet kur shteti mëmë nuk është në gjendje të bëjë diçka të tillë për shkak të dobësive dhe korrupsionit të institucioneve, që i korrespondojnë. Sot, pas nëntë viteve, jemi në të njëjtën situatë. Asnjë hap para. Pas nëntë viteve, kur vendi aspiron për të hapur negociatat me Bashkimin Europian, shteti dhe demokracia shqiptare duhet të reflektonin fuqi të tillë, që t’i mbyllnin shtetasve shqiptarë çdo shteg për “azil efektiv”, sipas termave të komunikatës së përbashkët. Por jemi ende larg. Marrëdhëniet janë të shkëlqyera, por Franca, me gjithë abuzimet, vazhdon të japë azil për shqiptarët. Sepse shteti shqiptar vazhdon të mos jetë në gjendje të mbrojë qytetarët e tij. Marrëdhëniet janë të shkëlqyera, por gjatë vitit 2018 dhe në fillim të vitit 2019 shteti francez ka miratuar pozitivisht 10% të kërkesave të shqiptarëve për azil. Shifra më e lartë deri më sot. Duket qartë që siguria në vendin tonë vazhdon të përkeqësohet. Madje, ka rënë më poshtë se ajo nëntë viteve më parë. Ndërkohë, duhej të ishte e kundërta. Ky është problem për qytetarët e Shqipërisë, pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera të ministrive tona të Brendshme. Këtë kërkon Franca të zgjidhë. Sigurisht, nëpërmjet marrëdhënieve të shkëlqyera.

Ndryshe nga qasja e Ministrisë së Brendshme franceze, e cila ka marrë në shërbim të saj, të paguar prej saj, katër oficerë të Policisë së Shtetit shqiptar për të ndihmuar organet kompetente në përballimin e problematikës me shtetasit shqiptarë, Ministria jonë mburret dhe vë në dukje faktin se ka shmangur përpjekjet e 35.000 shqiptarëve për emigracion të parregullt. Shifra citohet në komunikatën e përbashkët. Me fjalë të tjera, 35 000 shqiptarë, të cilëve nuk u është lejuar kalimi drejt vendeve europiane sepse mund të kërkojnë azil. Zgjidhje vetëm policore. E pamjaftueshme, madje arrogante që shton pasigurinë.

Duket se propaganda e stome qeveritare për marrëdhëniet e shkëlqyera me vendet e tjera ka ngelur e njëjtë me emocionet që ngjallte politizimi ekstrem i viteve të komunizmit, kur një adoleshent në klasën e shtatë, i lumtur, i emocionuar aq sa i mbahej fryma dhe goja njoftoi shokët e tij të klasës se Vietnami ishte çliruar. Të gjithë shokët u lumturuan.