.

Krahas Veliajt, PS jep sinjalet për kandidatët në 6 bashki të vendit. Ja cilët

Në Kongresin e PS-së që do të zhvillohet këtë të shtunë, krahas zyrtarizimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si kandidat i PS-së në kryeqytet, do të mësohen edhe gjashtë kandidatë socialistë.

Në axhendën e Kongresit është parashikuar që në pikën katër për “Bashkitë që duam”, të flasin katër kryebashkiakë aktualë dhe dy kandidatët ‘de jure’ të PS në zgjedhje. Kështu, PS ka parashikuar që për modelin e funksionimit të bashkive të majta të flasë kryebashkiaku socialist i Fierit, Armando Subashi, kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli dhe kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi.

Të katër këta kryebashkiakë janë drejt zyrtarizimit si kandidatë të PS-së në zgjedhje, ku do të kërkojnë mandatet e tyre të dyta pas atyre të marra në vitin 2015. Për modelin e “Bashkisë së Duam”, do të flasë edhe deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu.

Socialistët e kanë specifikuar në axhendë se Ndreu është zgjedhur deputet në Qarkun e Lezhës, ku edhe e majta pritet ta zyrtarizojë atë si kandidat të saj për bashkinë që aktualisht drejtohet nga demokratët. Prefekti i Elbasanit, Gledian Llatja, do të flasë gjithashtu në Kongresin e PS-së për modelin e bashkisë, në të cilën për 12 vite me radhë ka qeverisur Qazim Sejdini.

Ky i fundit ka deklaruar se nuk do të garojë për një mandat të ri në krye të Bashkisë Elbasan, ndërkohë që prej disa muajsh PS ka mbështetur si kandidatin e saj për zgjedhjet vendore në këtë qytet prefektin Llatja.

PANORAMA