.

Gjejeni kush e vrau Nardin e bjeshkëve të Nëmura!

Nga Rudina Xhunga/ Sot ka ndodhur një ngjarje e rëndë, një vrasje makabër.

Nuk kanë vrarë thjesht një djalë nga Thethi, kanë vrarë një djalë që identifikohej me Thethin.

Nard Polia ishte pikë referimi për ne, ishte korrieri i Thethit, ishte tregimtari i Thethit, ishte siguria e Thethit, ishte shtëpia në Theth, ajo kulla, era bukë të sapobërë që nuk do jetë më njësoj pa Nardin.

As Thethi nuk do jetë më njësoj, nëse nuk merr Nardin, ti thuash a kalohet, a është bllokuar rruga nga bora, a ka turistë, a ka vend, a presin miq.

Dritare.net ka dhjetëra video që na i dërgonte Nard Polia, pas çdo kerkëse që kishim, nga dritat, te orteqet, e deri te varrimi i Robert Elsie, në Theth.

Tani do të prehet edhe ai afër Elsie, aty afër kishës, poshtë qiparisave.

E vranë sot dhe s’di ç’të thuash, perveçse ai nuk është më dhe qe vetëm 35 vjeç.

Nuk di ç’të mendosh veç faktit se ai ndërtonte turizëm në bjeshkë, jo parcela droge.

Kur jeton në kohë të tilla, pas çdo vdekjeje sheh një arsye, që është diku, po ti nuk e di.

Se nuk të vrasin kot, thonë.

E pra unë i kam takuar veç një here vëllezërit Polia, kur bujta në kullën e tyre në Theth me ekipin e Top Channel dhe nuk pashë asgjë më shumë, sesa dashuria e tyre pa kushte, për bjeshkët e nëmura.Lamtumirë Nard Polia. Qofsh përjetë i atyre bjeshkëve!/dritare.net