.

Si Pakti për Universitetin deformon tregun e punës

BESART KADIA
Pakti për Universitetin është një pakt i anshëm dhe jo konkurrues. Ky pakt nuk bën ekonomi të mirë, pavarësisht se në dukje ofron shanse më të mira për studentët e ekselencës. Shteti e ka deformuar shumë ekonominë e tregut vitet e fundit. Shqipëria ka dy punëdhënës të mëdhenj: sektorin e shërbimeve publike, si dhe firmat private. Këta dy sektorë janë ngushtësisht të lidhur me njëri-tjetrin. Për të krijuar vlerë të shtuar në ekonomi, sipërmarrësit kanë nevojë për një administratë efikase e profesionale, që u përgjigjet në kohë sfidave të tyre. Ndaj, në pamje të parë ofrimi i garantuar i vendeve të punës për studentët e ekselencës në administratën publike, duket si një qasje e duhur. Por nuk është kështu!

Pakti për Universitetin ka dy probleme konceptuale. E para, nëse je student ekselent, nuk do të thotë detyrimisht punonjës i mirë. Së dyti, nëse janë me të vërtetë punonjës të mirë, atëherë më shumë nevojë ka sipërmarrja private sesa shteti për talentin e tyre. Kryeministri Rama vetë është shprehur se “punë ka, por nuk ka profesionistë”. Në rast se tregu ka nevojë për këto talente, atëherë “Pakti për Universitetin” fshin me një të rënë të lapsit këtë forcë punëtore për të hyrë në tregun e punës në sektorin privat.

Shteti është, monopsoni, pra ndër punëdhënësit më të mëdhenj në Shqipëri. Ndaj sjellja e tij dikton shumë performancën e jetesës tjetër të ekonomisë. Kështu, garantimi i vendit të punës në administratë shtetërore nëse je student ekselent, ndikon në sjelljen e individëve e për rrjedhojë në efikasitetin e ekonomisë. Kështu, studentët kanë tashmë më shumë incentiva për të punuar në shtet, pasi ai ofron siguri më të mëdha dhe prestigj kulturor më të lartë. Kështu, “Pakti për Universitetin” shndërrohet në shkatërrues të tregut të punës në Shqipëri.

A e dini ju se të dhënat e rritjes së produktivitetit të punës në Shqipëri që nga marsi 2010 deri në qershor 2018 tregojnë se produktiviteti i punës ndryshon me mesatarisht në – 0.83%? Pra, do të thotë që nga viti në vit, një punëtor shqiptar ka rendiment më të ulët se viti paraardhës. Rritja e produktivitetit vjen si pasojë edhe e organizimit efektiv të burimeve njerëzore dhe materiale kombëtare, në mënyrë që çdo input të përdoret në sektorin ku mund të prodhojë më shumë vlerë. Organizimi i punës kryhet nga menaxhimi dhe përmirësimi i metodave të menaxhimit rrit normën e rritjes së produktivitetit.

Ky rendiment i ulët reflektohet më pas në politikat për pagat. Kështu, në tregun privat pagat kanë mbetur thuajse të pandryshuara në katër vitet e fundit. Të dhënat nga INSTAT-i tregojnë se paga mesatare në sektorin privat është 47.299 lekë dhe është rritur me vetëm 1.1% nga viti 2015. Por, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me sektorin publik. Shteti ka rritur pagat pavarësisht faktit që rendimenti i administratës shtetërore nuk ka ndryshuar, presionet për borxhin publik mbeten të larta dhe se sektori privat është mbingarkuar me taksa e tarifa. Pra, shteti rrit kostot për sektorin privat, i merr para atij dhe me këto para rrit pagat për punonjësit e vetë. Kështu, të dhënat tregojnë se po për të njëjtën periudhë, pagat e sektorit shtetëror janë 17% më të larta nga sa ishin në fund të vitit 2015! Pra, shteti rrit kostot për sektorin privat, rrit pagat për sektorin shtetëror në mënyrë të njëanshme, duke deformuar tregun dhe po ashtu ndryshon incentivat e studentëve për të mos shkuar në tregun privat, por për të qëndruar në sektorin shtetëror.

Sot, paga mesatare në sektorin shtetëror është 33% më e lartë se në sektorin privat. Ky deformim shpërblimi për kapitalin njerëzor ka bërë që tregu i punës sot në Shqipëri të jetë i keqorientuar e joproduktiv (siç tregojnë të dhënat për rënien e produktivitetit në mënyrë konstante në 9 vitet e fundit).

Për më tepër, shteti po kryen një cikël të mbyllur të formimit të krahut të punës. Pasi merr para nga sektori privat në formën e taksave, shteti subvencionon studentët për studimet e tyre në universitetet publike. Pasi mbarojnë studimet, po atyre studentëve u ofrohet dhe një vend pune i sigurt në administratën shtetërore në kurriz të privatit e të ekonomisë në tërësi. Pakti për Universitetin, pra, është pakt në kurriz të ekonomisë shqiptare.