.

Mblidhet Këshilli në Berat/ Themeluesi i spitalit Hajdar Sulo, merr titullin “Nderi i Qarkut”

Themeluesi dhe drejtori i parë i Spitalit rajonal të qytetit të Beratit, Hajdar Sulo ka marrë titullin “Nderi i Qarkut” në mbledhjen e anëtarëve të Këshillit. Kjo ishte mbledhja e parë për vitin 2019 që zhvilloi Këshilli i Qarkut Berat.

Kryetari Fatlli Adilaj pasi prezantoi vizionin, objektivat dhe synimet e institucionit që drejton, drejtoi diskutimet për miratimin e vendimeve për dhënien e titullit “Nderi i Qarkut” për z. Hajdar Sulo, me motivacionin “Personalitet me kontribut dhe pasion të veçantë në fushën e mjekësisë. Themelues dhe drejtor i parë i spitalit rajonal të Beratit. Vizionar, patriot dhe veprimtar me ndjenja të larta atdhetare – patriotike”.

Doktor Hajdar Sulo (1866-1936) ishte një nga ata persona që nuk e diskutoi kthimin në atdhe pas diplomimit jashtë, as vendosmërinë e patundur të vënies në shërbim të popullit, i bindur thellë se vendi i vet i siguron punë, jetesë e qetësi, po dhe entuziast i idealit për të bërë Shqipërinë.
Në mbledhje iu dha ky titull edhe 2 emrave të tjerë: Lluka Petro Heqini dhe Isa Meta.
Z. Lluka Petro Heqimi me motivacionin “Personalitet me kontribut dhe pasion të veçantë në fushën e mjekësisë. Autor i shumë shkrimeve dhe botimeve shkencore. Një nga personalitetet e para që është marrë me mjeksinë sportive. Anëtar i organizatës botërore kundër dopingut”

Z. Isa Meta me motivacionin “Personalitet me kontribut dhe pasion të veçantë në fushën e mjekësisë (kirurgjisë). Autor i shumë shkrimeve shkencore. Ka shërbyer me pasion dhe sukses mbi 45 vite si mjek kirurg. Gëzon respekt të veçantë në Skrapar dhe më gjerë”