.

Përplasja mes botës virtuale dhe asaj reale

Nga Erion Kristo

Një nga shpikjet e mëdha të njerëzimit është rrjeti social Facebook (fejsbuk). Ky rrjet social virtual i ka fuqizuar shumë marrëdhëniet njerëzore. Njerëz të largët për ne, janë bërë të afërt; por dhe e kundërta: njerëz të afërt, janë bërë të largët. Dimë më shumë për njerëzit dhe e përdorim si vitrinë fejsbukun, ku valëvisim dashuritë tona, veshjet, ushqimet, fëmijët, nevojat tona, e plot të tjera.

Fejsbuku është një rrjet emancipues: aty njihesh me figura të ndryshme, me kauza të ndryshme, me mjedise të ndryshme; aty zgjerohen kufijtë e informacionit dhe dijes; aty qarkullojnë thënie, mendime, ide, protesta, ankesa, dhimbje, gëzime, e plot e plot të tilla.

Që të jesh pjesë e këtij rrjeti duhet të kesh disa njohuri teknologjike, duhet të familjarizohesh me arritjet e fundit të shkencës: që nga celularët më modernë, e deri tek aplikacionet e ndryshme, me ose pa filtra. Pra, ky rrjet, duke zgjeruar aftësinë normale të njeriut deri në anormalitet (p.sh. mund të kesh edhe 5000 miq në fejsbuk), sjell një lloj emancipimi.

Por a i ushtron ky rrjet efektet e tij bamirëse në vendin tonë? Duket se përtej zgjerimit të njohurive (foto të bukura nga bota apo informacione për shfaqje dhe restorante), përtej solidaritetit të shfaqur qartazi në kauza të ndryshme, përtej ngushëllimeve dhe shprehjes së urimeve për gëzime, pra përtej dukjes së bukur të fejsbukut, ka një fashë të errët regresi që duhet studiuar dhe kuptuar.

Fejsbuku duhet t’i lartësonte njerëzit, t’i bënte më solidarë, t’i bënte më të përgjegjshëm, më dashamirës, më të këndshëm, më me humor (qarkullon shumë humor në fejsbuk), por jo. Edhe në këtë oaz të mrekullueshëm kozmik paqeje dhe urtie, fut këmbën ujkonja e veshur si dhi: politika. Dhe shqiptarët tërbohen. Shqiptarët shprehen në një mënyrë katastrofike në fejsbuk. Ofendimet e njerëzve që mendojnë ndryshe e kapërcejnë limitin e kodit penal. Këtu bëhet fjalë për dhunë stadiumesh dhe përgjithësisht shkaktare për këtë është politika dhe bindjet politike.

Njerëzit shqiptarë që vetëm me njerëzi nuk sillen në rrjetin madhështor social (që është përgjegjës për disa rebelime e kryengritje në botë), nuk po lartësohen, por po poshtërohen gjithnjë e më shumë. Faqet milionëshe të politikanëve kryesorë të vendit janë kthyer në hale ku jashtëqitja njerëzore e gatuar keq nga po këta politikanë, ka shkaktuar diarre mendimi dhe të vjella. Njerëzit vjellin në fejsbuk kundër njëri-tjetrit, pa ngurrim, pa frena.

Madje të çudit fakti që ka ende pak ngjarje të rënda të lidhura me fejsbukun. Po ta llogaritësh tamam atë nënndërgjegje të sëmurë që qarkullon në rrjetet sociale, duhet të jemi realisht të kënaqur për pasojat ende të pakta. Urrejtja dhe mungesa e arsyetimit mbizotëron. Dhe kjo është stërthënë nga kokat e komunikimit botëror, por tek ne është edhe më e thekshme, kur rrjeti social bëhet mbreti i vendit, për shkak se mediumet e tjera janë në pikë të hallit.

Mungesa totale e edukatës së komunikimit, ofendimi i drejtpërdrejtë i çdo njeriu që mendon ndryshe janë të njëllojta me veprimin që do të kryente çdo njeri që ecën rrugës dhe pështyn në filxhanin e kafesë së dikujt që po pi kafe buzë rrugës. Arsyetimi është: fejsbuku është hapësirë publike. Por edhe edukata është hapësirë publike dhe prandaj ka lindur, si rregullator shoqëror. Çdo njeri ecën rrugës publike, me makina të parkuara rrugës publike, me shtëpi të ngritura buzë rrugës publike, me dyqane e lokale mu në rrugën publike. Po askush ose rrallëkush merr përsipër të ofendojë çdo të panjohur pa asnjë lloj arsyeje. Ndërsa në fejsbuk kjo ndodh përditë, pafundësisht. Mjafton të postosh diçka që për ty ka rëndësi, po nuk ka rëndësi për një tjetër, dhe plas sherri, e sherri nuk ka kurrfarë të mire. Dhe nuk ka kod penal dhe sistem ndëshkimor qe mund ta fashisë këtë turmë gjiganteske të paedukuar e me sjellje bulliste. Në vend që fejsbuku të na qytetërojë, të na bashkojë, të na gëzojë e argëtojë, po kthehet në një barrë, në një mërzitje, në një lodhje të panevojshme.

Nëse dikujt nuk i pëlqen diçka, edhe mund ta anashkalojë, ose ta kundërshtojë pa ofenduar askënd. Kaq na mëson logjika, por ajo mungon shpesh në këtë rrjet.
Disa mekanizma njerëzorë duhet të shkrepen që kjo tollovi, që i shtohet gjithë tollovive të tjera, të marrë fund. Dhe nuk mjafton butoni i ndjekjes, sepse ndjekja kthehet në përndjekje. Duhet pak gjykim lidhur me këtë çështje, se stresi i shkaktuar prej saj kthehet në dëm shëndetësor për të cilin paguajmë të gjithë. Duhet të shpresojmë që fejsbuku i projektuar për njerëzillëk e miqësi të kthehet vërtet në ilaç për shpirtrat e trazuar. Çdo njeri duhet ta përmbajë veten e vet. Nëse nuk bëhemi dot pozitivë, të paktën të mos bëhemi negativë: negativiteti vret qelizat. Të mos bëhemi si ato fishekzjarrët që plasin një herë dhe kthehen në hi pastaj.