.

Tentuan të trafikonin drogë drejt Italisë, policia jep detaje:Trafikantët u larguan në…

Një gomone me një sasi të konsiderueshme droge, e cila mendohet se kap shifrën e 500 kilogramëve, është bllokuar sot në Vlorë.
Sipas informacioneve mësohet se mjeti i lundrimit u kap në grykëderdhjen e Vjosës. Gomonia me gjatësi 10 metra u gjet sot paradite nga Policia Kufitare e Vlorës.

Ndërkohë nga Policia nuk janë dhënë detaje në lidhje me sasinë e drogës së kapur, por shtojnë se kanë sekuestruar 1 mjet lundrues, 2 automjete, një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis, si dhe prova të tjera që ndihmojnë hetimin.

NJOFTIMI I PLOTË

Operacioni “Vjosa”, Policia parandalon një tentativë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike

Policia e Shtetit në bashkëpunim me partnerët e Guardia di Finanza-s kanë parandaluar një tentativë për trafik lënde narkotike, përmes detit drejt Italisë. Operacioni nisi rreth orës 03:30 të mëngjes, kur u pikas mjeti lundrues disa milje në det. Policia Kufitare e Vlorës dhe GdF kanë vijuar ndjekjen në det. Forcat operacionale të FNSH-së Fier dhe të Policisë lokale Fier e Vlorë kanë organizuar punën duke patrulluar me disa grupe nga toka, megjithë kushtet e vështira të motit. Ndjekja policore detyroi trafikantët të futeshin në grykëderdhjen e lumit.

Aty braktisën mjetin lundrues dhe lëndën narkotike në buzë të lumit Vjosë, pranë fshatit Bishan. Duke përfituar nga errësira, të dyshuarit janë larguar në drejtim të pyllit. Forcat e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë ndjekjen për kapjen e tyre.

Policia sekuestroi 1 mjet lundrues, 2 automjete, një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis, si dhe prova të tjera që ndihmojnë hetimin.

Nën drejtimin e një grupi të posaçëm po vijojnë hetimet intensive për ndalimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe përballjen e tyre me drejtësinë.