.

Atentat me tritol gruas së biznesmenit të vrarë, ja për çfarë dyshohet

Pasditen e së premtes qyteti i Vlorës u trondit nga një shpërthim me tritol, që ndodhi në katin e dytë të një pallati në lagjen “1 Maji”, e njohur ndryshe si lagjja “Çole”.

Mësohet se lënda plasëse ishte vendosur pranë derës së banesës, ndërsa nga shpërthimi i fuqishëm ka pasur vetëm dëme materiale.

Shënjestër e atentatit mësohet se ka qenë Teuta Prifti, bashkëshortja e Hyqmet Nexhipit, të vrarë në janar të vitit 2016. E veja mësohet se kishte vetëm pak kohë që ishte zhvendosur në këtë apartament, të cilin e kishte marrë me qira. Në momentin e shpërthimit, Prifti ka qenë e vetme në banesë.

Nga shpërthimi i fortë, bashkëshortja e biznesmenit nuk ka marrë dëmtime, ndërsa banesa dhe orenditë janë shkatërruar thuajse plotësisht. Motivet e këtij atentatit mbeten ende të paqarta, ndërsa dyshohet se gjithçka ka lidhje me vrasjen e burrit të saj. Pak pas shpërthimit, forcat të shumta Policie shkuan në vendin e ngjarjes, të cilët kanë nisur hetimet për zbulimin e autorëve.

“Në lagjen ‘1 Maji’ Vlorë, në sheshpushimin e katit të dytë të një pallati, në afërsi të derës së jashtme të banesës së shtetases T.P, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse. Si pasojë e shpërthimit janë evidentuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit”, bëhet e ditur nga Policia.

VRASJA

Hyqmet Nexhipi u gjet i vrarë më 23 janar 2016 në makinën e tij tip “Honda”. 53-vjeçari, sipas hetimeve të Policisë, u vra me automatik, ndërsa ishte duke ecur me makinë. Autorët që ekzekutuan pronarin e një anije peshkimi me emrin “Drita”, pas ngjarjes, dogjën makinën që përdorën për t’u larguar nga vendi i krimit për të fshehur gjurmën. Nexhipi rezultonte i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni, ndërkohë që përveç lidhjes me të shkuarën e tij kriminale, vrasja u lidh me trafikun e drogës që mund të ketë kryer me anijen e tij.

Gjashtë muaj pas vrasjes, Policia e Vlorës arrestoi si bashkëpunëtor Florenc Gega, 34 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, ndërsa shpalli në kërkim si autor të dyshuar të vrasjes së Nexhpit, Deison Nallbani, i cili njihej edhe me emrin Arjan Muçaj, 30 vjeç, nga Vlora. Policia hodhi dyshime se ky shtetas është vrasës me pagesë, por nuk u zbardh motivi i vrasjes së 53- vjeçarit. Rezulton se viktima është martuar tri herë dhe për këtë fakt, ka dyshime se vrasja mund të lidhet me dy shkurorëzimet e mëparshme.

Viktima Hyqmet Nexhipi

Rreth 12 vjet më parë, Hyqmet Nexhipi ishte divorcuar nga bashkëshortja e parë (Teuta Prifti), me të cilën ka dy fëmijë. Më pas, ai u martua në Itali sërish. Me gruan e dytë ai kishte një vajzë, por nuk kaloi shumë dhe u divorcua edhe prej saj. Së fundmi, Nexhipi ishte martuar me një grua tjetër në Greqi, me të cilën bashkëjetonte derisa u vra.

Olsi Nexhipi, djali i çiftit të Teuta Priftit dhe Hyqmet Nexhipi, mësohet se nuk ndodhej në banesë në momentin e shpërthimit. 26-vjeçari u arrestua pak ditë pas vrasjes së babait të tij, si i dyshuar për këtë krim. Kjo akuzë ndaj tij ra, pasi Policia dhe Prokuroria zbuluan më pas se autorët ishin dy persona të tjerë. Por, 26-vjeçarit, në momentin e arrestimit në janar të 2016-s, iu gjet në banesë një armë pistoletë dhe disa doza kanabis sativa.