.

Alfred Peza: Pse 15 dhjetori pritet me ankth vetëm nga deputetët e PD!

Ka disa ditë që përfaqësues të ndryshëm të opozitës dhe mbështetës të saj, kanë nisur jo vetëm të kuptojnë, por edhe të artikulojnë dështimin e rrugës së ndjekur nga PD jashtë Parlamentit. Bashkë me humbjen edhe të “kauzës” së Unazës së Madhe të Tiranës, është paralajmëruar rikthimi në normalitetin e luftës politike institucionale, në fillim të vitit të ardhshëm.

Sinjalin e parë e dha vetë kryetari Lulzim Basha, kur nga një ide të pretenduar origjinale për mbështetjen e protestuesve që kundërshtojnë projektin e zgjerimit të unazës në zonën e “Astirit”, ai e shndërroi atë me koshiencë, në një kopje të shëmtuar të një proteste tjetër. Të një proteste në Francë, të bërë të famshme në gjithë botën, më shumë për shkak të origjinalitetit të saj.

Duke kopjuar simbolin e asaj proteste, madje duke ja ndryshuar edhe ngjyrën e jelekëve nga të verdhë në portokalli, Lulzim Basha thjeshtë ka dëshmuar atë që e dijnë të gjithë, se: Kopja, sado besnike që të jetë, kurrë nuk mundet as të meret, e as të vlerësohet për origjinale!

Më shumë sesa i shqetësuar për protestën, më në fund Basha duket i relaksuar për atë që e ka preokupuar më shumë gjatë këtyre javëve të zhvillimeve të saj. Duket më I qetë, nga përfundimi i procesit të zgjedhjes së kryetarëve të degëve të PD, në të gjithë Shqipërinë.

Pak rëndësi ka tashmë për të, nëse ai proces u zhvillua apo jo, ashtu siç e ëndërronte çdo demokrat i thjeshtë. Më e rëndësishme me sa duket, ishte që ajo të përfundonte duke konfirmuar listën që ka dashur që në fillim Kryetari. Deri në mesin e këtij muaji, ky proces zgjedhor përfundon edhe në qendër e pas kësaj, Basha është gati të nisi një fazë të re politike për vete, PD dhe opozitën në tërësi.

Në janar fillon praktikisht, fushata elektorale për zgjedhjet e përgjithëshme lokale, të 30 qershorit 2019. Basha duket se i ka gati që tani, edhe të gjithë kandidatët për garën në qytetet kryesore të Shqipërisë. Këtë e “konfirmuan” sëfundi, edhe drejtuesit e kësaj partie, që presin të mësojnë emrat e garuesit/es për garën e Tiranës. Por edhe nëse nuk i ka, kjo nuk ka fare tani rëndësi për të.

Bashkë me ethet e garës për 61 bashkitë më shumë në teren se në SHQUP, ka nisur edhe finalja e numërimit mbrapsht, në raport me kohën e qëndrimit të grupeve të opozitës, jashtë Parlamentit. Llogaritë kanë nisur të bëhen me gishta, sepse në javën e tretë të janarit, skadon afati 6 mujor dhe lidershipi i opozitës rrezikon ti humbë mandatet. Ndërsa deputetët e tyre, duke marë pjesë në punimet e komisioneve parlamentare, në vend që të ishin më të relaksuar se shefat e tyre për këtë, ndihen akoma edhe më të tensinuar.

Lulzim Basha nuk duket më edhe aq i shqetësuar se më parë. E tregoi këtë, duke refuzuar të rikthehet në Parlament, qoftë edhe vetëm për të debatuar dhe diskutuar, ligjin më të rëndësishëm vjetor që miratohet në Kuvend: Buxhetin e shtetit për vitin 2019. Shenjë e sigurtë, se më shumë sesa i shqetësuar për pozitat e lëkundura në skenën e madhe politike, Lulzim Basha duket se ka patur më shumë të nevojshme për ti forcuar ato, brenda PD dhe opozitës.

E vetmja gjë që i ka mbetur për të bërë për këtë vit,- përpara se ti këpusë një palë pushime të gjata për qejfin e tij,- është Kuvendi Kombëtar i PD më 15 dhjetor. Ku do të përfundojë edhe një proces i nisur prej afër 6 vjetësh; për të larguar ata që nuk gëzojnë besimin e tij dhe për të konsoliduar përfundimisht, ekipin e klonuar rreth vetes. Duke krijuar pas kësaj, trupën e një partie që do të ketë, të gjitha tiparet e portretit politik të Lulzim Bashës.

Askush pas kësaj, nuk mund të verë më në diskutim, asnjë vendim, veprim dhe zgjedhje të tij. Ndaj, nuk duket të jetë i shqetësuar, as për protestën e “Astirit”, as për Parlamentin dhe as për zgjedhjet lokale. Pjesën më të madhe e më të “bezdisshme” të projektit të tij politik, e kaloi më 2017, kur largoi duke mos i kandiduar më për deputetë, të gjithë rivalët dhe kundërshtarët e mundshëm. Më 15 dhjetor, mbetet vetëm që disa të tjerë, të mësojnë që tani se nuk do të jenë më, pjesë e listës për zgjedhjet e 2021.

Marrë nga AlpeNews