.

Ministria e Brendshme si faktori përcaktues i politikës së brendshme dhe të jashtme

Nga Ervis Iljazaj

Prej shumë kohësh, opozita shqiptare ka gjetur Ministrinë e Brendshme si hallkën më të dobët të kësaj qeverie, dhe, ka krijuar mbi të pothuajse të gjithë aksionin e saj opozitar.

Për hir të së vërtetës, ka qenë një aksion që mund të konsiderohet i suksesshëm. Dy ministra të Brendshëm të qeverisë Rama, Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj, tashmë nuk janë më në krye të detyrës. Këto dy zëvendësime, janë kthyer në të vetmet rinovime të detyrueshme të qeverisë Rama.

Ndoshta për arsye të brendshme politike të mazhorancës, apo për shkak të vendosjes së tyre në qendër të sulmeve opozitare, fakti është se, dy ministra të një nga dikasteret më të rëndësishme të qeverisë, kanë rënë njëri pas tjetrit.

Mirëpo, saga politike e ministrave të Brendshëm nuk iu mjaftoi me kaq. Në momentin kur, u kujtua se më në fund do të kishim një profil të “qetë” politik në krye të saj, si një mallkim, që pothuajse ndjek të gjitha qeveritë e tranzicionit shqiptar, edhe njëherë, Ministria e Brendshme u bë shkaku për një ngërç kushtetues midis Presidencës dhe Kryeministrisë.

Në këtë kuptim, Ministria e Brendshme vazhdon ende të mbajë frymën e politikës shqiptare, duke u kthyer kështu, në një faktor përcaktues për ecurinë e saj.

Dhe kjo për një arsye tipikisht shqiptare. Për shkak të politizimit të skajshëm të punës së policisë. Duke mbajtur kështu, një nga çelësat e suksesit apo dështimit të një qeverie të caktuar. Jo më kot, posti i ministrit të Brendshëm, ka qenë historikisht një nga problematikat më të mëdha të qeverisjes.

Jo vetëm kaq, por, Ministria e Brendshme, është kthyer në një dikaster jetik edhe për politikën e jashtme shqiptare dhe marrëdhëniet e saj me faktorët ndërkombëtarë. Nëse ka një lupë të madhe që kanë vendosur aleatët ndërkombëtarë për të monitoruar qeverinë shqiptare, është pikërisht lufta kundër krimit të organizuar.

Jo më kot, deklarata e Ambasadës Amerikane dhe e asaj të Bashkimit Europian pas ngërçit institucional midis Presidencës dhe Kryeministrisë, shprehin një lloj shqetësimi për domosdoshmërinë e të paturit një ministri funksionale dhe me titull të plotfuqishëm.

Sepse, indeksi i krimit do të jetë një faktor përcaktues për vazhdimësinë ose jo të procesit të çeljeve të negociatave me Bashkimin Europian për vitin e ardhshme. Ndoshta, lufta ndaj krimit të organizuar, është i vetmi kriter që Shqipëria duhet të plotësojë për të patur sukses në këtë drejtim vitin që vjen. Mirë apo keq, Reforma në Drejtësi, që ishte një nga kriteret kryesore të negociatave, tashmë është futur në një mekanizëm i cili duket i pakthyeshëm.

Ministria e Brendshme është një faktor kyç jo vetëm për ecurinë e negociatave të vitit të ardhshëm, por, në varësi të punës së saj, Shqipëria do të përcaktojë dhe aleancat ndërkombëtare. Te cilat, nëse kjo ministri dështon në luftën kundër krimit, rrezikon të izolojë Shqipërinë me aleatët e saj perëndimorë.

Për të gjitha kë këto arsye, dështimi ose jo i punës së Ministrisë së Brendshme, do të përcaktojë jo vetëm suksesin ose jo të qeverisë, por, edhe vetë fatin politik të Kryeministrit Rama.

Sepse, nuk ka gjë më shqetësuese për shqiptarët dhe ndërkombëtaret se sa dhënia fund e krimit në shoqëri dhe në politikë, i cili po mban peng zhvillimin dhe integrimin e vendit.