.

Projekti i Unazës së Re, fati i banorëve që do iu shembet prona dhe misteri i kompanive fituese

Sonte në orën 21 në Top Channel, në emisonin “Open”, do të jetë i ftuar Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjikunuri. Ministri është thirrur për të hedhur dritë dhe për të dhënë sqarime mbi një konflikt të ri mes qeverisë dhe qytetarëve, i cili është bërë lajmi i parë këto ditë në media. Kjo sepse qeveria ka vendosur rindërtimin e një pjesë të unazës së madhe të qytetit të Tiranës, nga vendi i njohur si Pallati me Shigjeta deri tek Rrethrrotullimi Shqiponja. Rindërtimi është planifikuar të kushtojë rreth 40 milionë euro. Problemet që dalin në këtë rast nuk janë të panjohura, pasi janë të njëjtat probleme që janë shfaqur, sa herë një projekt publik ka cënuar pronën  private.

Nga njëra anë kemi qeverinë e cila thotë që një vepër publike duhet bërë sepse është në interesin e të gjithë qytetarëve dhe ata që kanë çertifikatë pronësie do dëmshpërblehen, të tjerët jo, nga ana tjetër janë qytetarët e prekur nga projekti. Ata pretendojnë se nuk janë vënë në dijeni për projektin, nuk është marrë mendimi i tyre, dhe mbi të gjitha nuk ka asnjë vendim të qartë për mënyrën se si ata do të dëmshpërblehen.

Projekti i ndërhyrjes nuk është bërë publik, ndaj informacioni për të është i kufizuar. Sidoqoftë, dihet se projekti fillestar nuk parashikonte prishje të objekteve anash rrugës ekzistuese, por ai është ndryshuar, nuk dihet se pse dhe si, duke parashikuar zgjerimin e rrugës ekzistuese edhe pse ajo aktualisht ka tre korsi në çdo kah.

Si rezultat, tani duhet të prishen të paktën 317 godina (ka burime që pretendojnë se numri shkon deri mbi 800 godina) në  të cilat banojnë rreth 600 familje dhe veprojnë dhjetëra biznese. Të paktën 163 banesa janë në proces legalizimi, por qeveria ka vendosur të ndërpresë procesin e legalizimit sapo ajo shpalli tenderin për rindërtimin e unazës në datën 7 shtator 2018, pa i lajmëruar fare qytetarët. Nuk dihet se me çfarë procedure është anulluar procesi i legalizimit.

Pas mbarimit të tenderit dhe përzgjedhjes së kompanive ndërtuese, pa asnjë informim, konsultim apo kontakt të mëparshëm, banorët dhe bizneset e zonës janë urdhëruar me datën 1 nëntor 2018 nga inspektorë të policisë ndërtimore për të bërë lirimin e menjëhershëm të shtëpive, duke ju premtuar pagesën e qirasë për strehimin e tyre të përkohshëm, nga Bashkia Tiranë, dhe pagesën në të ardhmen të dëmshpërblimit për shpronësimin.

Pas këtij udhëri, banorët kanë filluar menjëherë të protestojnë kundër këtij vendimi. Vendimi i qeverisë për të prishur të paktën 317 godina në zonën e Astirit në Tiranë, pa procedurë dhe kompesim të drejtë, është shkelje e të drejtave të njeriut dhe të drejtave kushtetuese të qytetarëve, të cilat janë një nga kriteret e papërmbushura të Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në.

Kjo është një nga pikat që duhet të sqarojë publikun dhe sidomos banorët e prekur nga projekti, Ministri Gjiknuri sonte në “Open” me Eni Vasilin.

Një tjetër moment që ka nevojë që për sqarimin e Ministrit, është mënyra se si u bë tenderi për të zgjeruar rrugën. Qeveria hapi më 7 shtator 2018 tenderin për projektin duke i ndarë punimet në tre segmente të veçanta, duke vendosur konkurrim të veçantë për secilin nga këto segmente. Kompania Victoria Invest, një nga kompanitë që do të bëjë zgjerimin e unazës së re, është përjashtuar një vit nga procedurat konkurruese koncesionare dhe partneritete publike private. Ndërsa dy kompanitë fituese të lotit 2 dhe 3 janë kompani të njohura ndërtimi, kompanitë ‘Biba-X’ dhe ‘DH Albania’ janë të panjohura.

‘DH Albania’ është kompani regjistruar në Shqipëri më 18 korrik 2018 si degë e një kompanie të huaj Dunëel Haberman, me përfaqësues ligjor 26 vjeçarin Avdjol Dobi. Kompania mëmë, Dunëel Haberman ltd është regjistruar në një parajsë fiskale, në shtetin Delaëare të SHBA-ve dhe duket të jetë një kompani rafti—kompani pa aktivitet, e krijuar për t’u shitur në letër.

Një tjetër pikë e errët në proçedurat e tenderimit, është fakti se një Kompania me emrin Vëllezërit Hysa ka marrë pjesë në të gjitha garat e tenderave, pa paraqitur asnjë ofertë finaciare, proçedurë e cila të bën të mendosh që fituesit ishin të paracaktuar.

Për këto dhe të tjetra çështje që kanë mbuluar me mister këtë projekt dhe që po nxjerrin në rrugë me qindra familje pa iu dhënë një zgjidhje, ndiqni sonte Damian Gjiknurin në “Open” me Eni Vasilin ku do ketë dhe shumë kronika si dhe të ftuar si dhe grupe interesi. /hapur.al