.

Qeveria do të rishikojë buxhetin e shtetit, zbulohen 2 skenarët që po analizon

Qeveria pritet të rishikojë edhe për këtë vit buxhetin e shtetit. Arsyeja e ndryshimit të buxhetit është rënia e të ardhurave, kryesisht atyre doganore për shkak të zhvlerësimit të monedhës europiane, e cila ka ndikuar në zhdoganimin e mallrave.

Ndryshimet e buxhetit pritet të miratohen në muajin shtator, ku ashtu si edhe në vitin 2017, qeveria rishikoi buxhetin në muajin gusht, për t’i dhënë zgjidhje problematikës së krijuar për blerjen e energjisë elektrike në kushtet e thatësirës të tejzgjatur dhe situatës së emergjencës të krijuar nga rënia e zjarreve. Në gushtin e vitit 2017, deficiti buxhetor mbeti i pandryshuar, ndërkohë të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit ndryshuan me 2 miliardë lekë.
Për ndryshimet e buxhetit të vitit 2018, qeveria është duke analizuar dy skenarë. Skenari i parë është që të rishikohen të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit me 3 miliardë lekë, duke ruajtur deficitin buxhetor që është miratuar në fillim viti. Skenari i dytë është rialokimi i shpenzimeve kapitale, nga projektet me ecuri të ngadaltë tek ato me ecuri të lartë.

Pra, kjo do të sjellë që të mos preken parametrat e buxhetit të miratuar në fillimvit, por projektet që kanë shënuar ecuri më të ulët në realizim, të kenë zhvendosje të fondeve tek ato që kanë avancim më të lartë.

Më herët, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi në konferencë për shtyp se totali i të ardhurave të realizuara për 6 muajt e parë të vitit është 60 milionë dollarë më shumë se një vit më parë.

“Për sa i përket performancës së të ardhurave, kemi një rritje prej 3.3 për qind. Janë gati 60 milionë dollarë më shumë në gjashtëmujor sesa viti i kaluar. Kemi një rezultat gati 98 për qind, me gjithë goditjen serioze dhe jo të vogël që i ka dhënë të ardhurave doganore kursi i këmbimit. Me gjithë atë goditje, qëndrojmë në nivele të kënaqshme”, u shpreh ministri.

Referuar treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, shpenzimet kapitale, apo siç njihen ndryshe investimet për 6 muajt e parë të vitit, llogariten në vlerën e 29,9 miliardë lekëve. Sipas buxhetit të miratuar në fillim të vitit, qeveria parashikon të shpenzojë për investimet 86,3 miliardë lekë. Aktualisht, kanë mbetur pa u shpenzuar edhe 56,4 miliardë lekë, pra, janë përdorur 35 për qind e fondit të parashikuar.

Për projektet me financim të brendshëm janë shpenzuar deri tani 18,8 miliardë lekë, kurse për ato me financim të huaj janë shpenzuar 10,7 miliardë lekë. Por, arsyeja e rishikimit të buxhetit pritet të jenë goditjet që i kanë dhënë rënia e euros, të ardhurave doganore.

Efektet nga kursi i këmbimit te të ardhurat llogariten në vlerën e 3,6 miliardë lekëve për 6- mujorin e vitit 2018. Në total për periudhën janar-qershor, qeveria arkëtoi 216,9 miliardë lekë të ardhura. Ndërsa totali i shpenzimeve të kryera ishte 214,6 miliardë lekë.PANORAMA