.

Çfarë është kjo urrejtje ndaj emigrantëve e një populli emigrantësh?!


Sigurisht që 600 mijë emigrantë që flitet të vijnë në Shqipëri, është një shifër e frikshme për një vend që nuk ka kapacitete t’i presë ata. Nëse është e vërtetë e gjithë historia se, Shqipëria është duke pritur një numër të tillë refugjatësh është për t’u shqetësuar, pasi duke qenë se nuk ka kapacitetet për një fluks kaq të madh, mund të kthehet në një problem shoqëror dhe të sigurisë. Askush nuk e vë në diskutim që Shqipëria nuk e ka aftësinë të ndërtojë kampe të tilla kaq të mëdha refugjatësh, edhe nëse ndihmohet financiarisht nga vendet e Bashkimit Europian.
Por, është e patolerueshme dhe e çuditshme një lloj urrejtje dhe një refuzim apriori i pritjes së emigrantëve të cilët me siguri, herë apo vonë, rruga e kalvarit të tyre të gjatë do të bjerë dhe nga Shqipëria për arsye gjeografike dhe jo ekonomike, sepse, askush nga ata nuk dëshiron të ndërtojë jetën e tyre këtu te ne, por, do të jenë këtu vetëm si kalimtarë.
Është e çuditshme se si një popull që një pjesë të mirë të ekonomisë, civilizimit, kulturës dhe prosperitet e ka falë emigracionit të vet, tregohet kaq i ashpër ndaj refugjatëve të mundshëm që mund të përdorin Shqipërinë si ndalesë të përkohshme. Sigurisht që, nëse bëhet fjalë për një shifër aq të madhe, situata kthehet në alarmante, por, çështja nuk është këtu. Çështja është se, për herë të parë Shqipëria dhe qytetarët e saj, brez pas brezi popull migrator, nuk lënë as edhe një hapësirë debati për ta përballuar një situatë të mundshme emigrantësh ashtu sikurse do të ishte e udhës. E kundërta po ndodh, të gjithë janë hedhur në sulm ndaj qeverisë dhe kanë një refuzim apriori të mundësisë që Shqipëria mund të jetë një vend pritës ndaj tyre. Do të jenë 600 mijë apo 10 mijë, është një diskutim tjetër.
Fakti që, e refuzojmë apriori një fenomen të tillë tregon shumë për një kulturë që na përket. Kultura e larg kopshtit tim. Në fakt është një paradoks, kërkojmë të drejta të qytetarëve tanë kudo që ndodhen nëpër kampe refugjatësh, dhe të njëjtën kohë as nuk e perceptojmë dot që vetë ne mund të kthehemi në një vend pritës të tyre.
Në fakt kjo është hera e parë, që një popull migratorësh, të përballet me fenomenin e emigracionit në territorin e tij. Është një tematikë, që as opinioni i shoqërisë shqiptare, kultura e saj, por edhe vetë politika nuk është hasur ndonjëherë. Dhe, për këtë arsye, do të jetë një sfidë jo e lehtë për t’u përballuar.
Sigurisht që, fryma që ngrihet kundër emigracioni ka shkak dhe betejën politike. Opozita shqiptare nuk mund ta lërë një kartë të tillë pa e luajtur. Nuk ka asgjë më efikase elektoralisht se sa të luash me ndjenjën e frikës. Dhe, ardhja e emigrantëve për një popull që nuk e ka hasur një fenomen të tillë, ndonjëherë ngjall frikë. Këtë gjë po e bëjnë shumë nga partitë në vende të ndryshme europiane, me sukses madje.
Qasja që jemi duke përballuar këtë fenomen, është një qasje tërësisht e gabuar, dhe që nuk na ka aspak hije, të paktën në aspektin humanitar. Kjo vjen si pasojë edhe të frikës që ngjall mostransparenca e qeverisë për këtë çështje. Deklaratat që vijnë nga pjesë të ndryshme të qeverisë janë kontradiktore. Prandaj, qeveria shqiptare duhet urgjentisht të sqarojë këtë situatë në mënyrë që të jemi të aftë të debatojmë për një fenomen kaq delikat.