.

Rama i miri, Basha i keqi


FITIM ZEKTHI
Njihen në shkencat sociale raste të shumta kur njerëz të ndryshëm që bëjnë gjëra të këqija apo shkatërrimtare, përpiqen t’ua hedhin fajin të tjerëve. Në mjaft prej këtyre rasteve, ndodh që personat që shfaqin sjellje problematike apo bëjnë akte të tilla, përpiqen që cilësitë që i kanë vetë ata t’ua atribuojnë psikologëve të tyre, atyre që mundohen t’u thonë se ku është problem dhe si ta rregullojnë. Raste të tilla gjen të përshkruara hollësisht që nga Sigmund Freud e Karl Jung dikur e deri te Martin Seligman apo Kurt Abraham më vonë. Këtë sjellje Freud e ka quajtur “transferim.”
Transferimi duke e çuar fajin dhe përgjegjësinë te dikush tjetër është një formë e pastër gënjeshtre. Janë vërejtur vrasës serialë, të cilët vrisnin prostituta dhe thoshin se ato e meritonin vrasjen dhe përdhunimin. Ted Bundy, për shembull, një vrasës serial në SHBA, përndiqte për t’i vrarë vajzat brune sepse mendonte se ato meritonin të vriteshin. Në mendjen e tij, ato ishin të gjitha fajtore sepse një brune e kishte refuzuar dikur atë. Ai e zhvendoste apo transferonte të gjithë urrejtjen e tij tek ato, duke i bërë përgjegjëse për atë që i kishte ndodhur.
Te romani “Krim dhe Ndëshkim”, Dostojevski përshkruan në mënyrë të jashtëzakonshme vrasjen e dy plakave nga Raskolnikovi dhe tërë transferimin që ai i bën fajit. Sipas Raskolnikovit, plakat e meritonin të vdisnin, ato ishin fajtore sepse ato kishin shtëpinë ku ai jetonte dhe ato donin qiranë, ndërkohë që ai ishte i ri, bota u përkiste njerëzve si ai dhe jo atyre dhe ato nuk mund të ishin pengesa e një botë të re. Në thelb, fajësimi i viktimës është një gënjeshtër shumë e veçantë.
Kur një njeri që bën diçka të keqe fajëson viktimën, ai bën diçka edhe më të madhe sesa fajësimi i një të pafajshmi. Ai fajëson atë pjesë të së pafajshmes që është dëmtuar nga ai vetë. Pra, kemi një ndryshim vendesh: I keqi bëhet i mirë dhe i miri bëhet i keq. Dinesh D’ Sousa, një teoricien amerikan i politikës, thotë se kjo është gënjeshtra e madhe. Ai niset nga përdorimi që i ka bërë këtij termi Adolf Hitler.
Hitleri e ka përdorur togfjalëshin ‘gënjesh tër e madhe’ në librin “Mein Kampf”, për përshkruar propagandën naziste. Hitleri vë përballë gënjeshtrën e madhe me gënjeshtrën e vogël. Për Hitlerin, “masat e gjera të popullit bien më kollaj viktimë e gënjeshtrës së madhe sesa gënjeshtrës së vogël”. Hitleri thotë se vetë njerëzit bëjnë gënjeshtra të vogla dhe ata do të ndiheshin të turpëruar po të bënin nga një gënjeshtër të madhe, sepse është turp të bësh gënjeshtra të tilla të mëdha që “nuk i ha njeri”. Duke qenë se njerëzit mendojnë se është turp të bësh gënjeshtra të mëdha, atëherë, kur dikush bën një gënjeshtër të madhe, ata mendojnë se ajo është e vërtetë sepse nuk ka mundësi, që dikush të guxojë të bëjë një gënjeshtër kaq të përbindshme.
Nisur nga kjo logjikë, Hitleri i fajësoi hebrenjtë se janë mjeshtra të gënjeshtrës së madhe, se ata kanë rrjepur me fajde popullin gjerman, se janë bolshevikë, se janë impotentë, se janë epshpapërmbajtur, se duan të dominojnë botën etj. Pra, ndërsa Hitleri gënjente për hebrenjtë dhe nisi shkatërrimin e botës, akuzonte hebrenjtë se ata donin shkatërrimin e botës. Ky stil i gënjeshtrës së madhe është mënyra që ka zgjedhur Edi Rama për të bërë propagandë, për të mbajtur në këmbë qeverinë, për t’u mbrojtur vetë dhe për të mbrojtur së fundi ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Kur Partia Demokratike publikoi, në rastrin Xhafaj, përgjimin ku dyshohet se vëllai i ministrit Xhafaj bisedon me Albert Veliun për trafik droge, Kryeministri tha se aty nuk është vëllai i ministrit. “Ky është një komplot,-tha ai,-që do të përballet me drejtësinë”. Pra, Kryeministri akuzoi Partinë Demokratike jo vetëm se kishte gënjyer pasi në përgjim, sipas saj, nuk ishte fare vëllai i ministrit, por e akuzoi se ajo e kishte bërë vetë të gjithën. Më pas, kur doli dhe foli Albert Veliu dhe tha se ai kishte biseduar me vëllain e ministrit për të trafikuar drogë, Kryeministri tha se: “Basha po zhytet në llum, PD ka bërë komplot dhe se nuk ka fare një bisedë të vëllait të ministrit me Albert Veliun”.
Pra, përsëri gënjeshtër e madhe, ku jo vetëm që mohohet përgjegjësia e qeverisë, e Ramës dhe Xhafajt, por fajësohet PD se sajoi një ngjarje. Pra, fajtori është PD. PD është fajtore edhe se po shkatërron negociatat (siç po bënin hebrenjtë, të cilët, sipas Hitlerit, po shkatërronin Gjermaninë dhe botën). Kur gazetari Jetmir Olldashi tha se ishte ai pas gjithë kësaj ngjarjeje si gazetar që kërkon të raportojë të vërtetën dhe se vëllai i ministrit ishte takuar dhe kishte biseduar me Albert Veliun, përsëri Kryeministri tha se është komplot dhe se PD do të mbajë përgjegjësi.
Kryeministri, madje, tha se trafiku i kokainës i ka rrënjët te drejtues të lartë të PD-së. Kur u publikuan përgjime të tjera dhe doli që Albert Veliu telefononte në numrin e vëllait të ministrit, përsëri u fol për sajesë, për komplot dhe nuk u pranua fare se vëllai i ministrit kishte biseduar me Veliun. Kryeministri përsëriti akuzën se trafiku i kokainës i ka lidhjet në drejtimin e PD-së. Këtë akuzë e përsëri edhe sekretari i përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla. Pra, jemi saktësisht në kushtet e propagandës së Hitlerit. Rama mendon se gënjeshtra e madhe, të cilën askush nuk e bën dot se i vjen turp ngaqë nuk mund të bëhet një gënjeshtër e tillë, është gënjeshtra që besohet më shumë. Rama, Xhafaj, (dhe Spiropali që iu bashkëngjit tekstualisht Ramës) dhe Balla zgjodhën gënjeshtrën e madhe.
Ata nuk mohuan përgjegjësinë e Xhafajt, nuk mohuan përfshirjen e vëllait të ministrit në trafiqe, nuk folën për pritje të organeve të hetimit, ata thanë se këtë e ka bërë PD, se ajo komplotoi se rrënjët e kokainës jo vetëm që nuk janë të Xhafajt dhe të PS, por janë te PD. PD po shkatërron negociatat, po saboton të ardhmen e vendit. Pra, nuk është Hitleri që po përndiqte hebrenjtë, nuk është Hitleri që nisi shkatërrimin e botës, jo, janë hebrenjtë që gënjejnë, janë hebrenjtë që duan shkatërrimin e botës dhe Hitleri po rregullon botën, po lufton të keqen.
Partia Socialiste dhe sidomos Kryeministri Rama janë absolutisht në transferim. Dështimi i tyre për ta nuk është dështimi i tyre, e keqja që ata kanë bërë nuk është e keqe, përkundrazi, është e mirë. Vëllai i ministrit, ministri, ish-ministri i Brendshëm, Rama, janë të mirët dhe të këqijtë janë Basha dhe PD. Jo vetëm Hitleri, por askush që ka ndjekur shembullin e tij në transferimin e fajit, nuk arrin të fitojë apo fshehë të vërtetën për shumë kohë. Vjen një moment që gjithçka bie si një rrangallë dhe qeveria e zoti Rama nuk mban më, kjo propagandë nuk është më asgjë. Shërbeu shumë pesë vite./Panorama

*Pedagog, Shkenca Politike