.

Avokatja e Popullit: Momenti më i vështirë, kur mora vendimin e Strasburgut. Ja arsyeja

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, e zgjedhur nga opozita në këtë detyrë pas marrëveshjes së 18 majit mes kreut të PD-së Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama ka folur sot në emisionin “Kjo javë” në News24 për punën e saj, paragjykimet dhe momentet më të mira.
Ballanca pranoi se ka paragjykime për faktin se është zgjedhur nga opozita por se është detyra e saj të ndryshojë këtë opinion dhe se duhet të jetë standard që secili të shohë punën si individuale. Ajo tregoi edhe për momentin më të vështirë në punën e saj si Avokate e Popullit që ka qenë edhe momenti më i mirë njëherazi, raporton “BalkanWeb”.
“Më takon mua të ndryshoj këtë opinion. Në frymën e debatit politik në Shqipëri është shumë e thjeshtë që njerëzit të vendosen në llogore dhe të mos i njohin tjetrit asgjë e bërë mirë. Pavarësisht se jam zgjedhur nga opozita, unë gjykoj se duhet të jetë standard që secili ta shohë punën time si individuale.
Si Avokate e Popullit eksperienca ka qenë pozitive. Ka pasur një ndryshim të qenësishëm në natyrën e punës sime. Nuk kam drejtuar 50 vetë, është sfidë më vete”, tha Ballanca.
Ajo tregoi se momenti më i vështirë ishte kur u bë publik vendimi i Strasburgut për një çështje ku ishte e përfshirë, duke iu referuar mbrojtjes së bërë për pallatin e prishur në Vlorë nga qeveria Rama edhe pse ishte me leje.
“Momenti më i vështirë dhe më i mirë kanë qenë në të njëjtën ditë. Nuk është fakt i paditur që kam qenë e përfshirë edhe personalisht në një rast kundër qeverisë. Një rast se si shteti nuk duhet të sillet ndaj qytetarëve. U ndjeva mirë ditën kur mora vendimin e gjyqit. Ishte një fitore e madhe, sigurisht jo vetëm e imja. Por u ndjeva edhe shumë keq, sepse për shkak se unë isha pjesë e atij gjyqi nuk mund ta bëja kauzë për shkak të detyrës sime. Nuk mund ta trumbetoja.
Nuk e bëja dot kauzë sepse do mendohej se e bëra për shkak të një axhende personale. Mu desh të zgjidhja rrugën e Avokates së Popullit. Do doja të ishte kalë beteje për promovimin e të drejtave të qytetarëve të shpronësuar”, deklaroi Avokatja e Popullit.