.

Samir Mane: Si e nisa biznesin, në ’92 duke shitur televizorë

I ftuar në një bashkëbisedim me studentë e pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës në moderimin e shefes së departamentit të Komunikimit, Belina Budini, ishte biznesmeni i njohur Samir Mane, i cili ndau me të pranishmit fillimet e rrugës në biznes dhe filozofinë e tij në lidhje me kërkesat e tregut. Mane zbuloi disa prej investimeve të afërta si dhe tha se në të ardhmen do të fokusohet në biznesin e turizmit

“Nuk e kam menduar kurrë që do të isha biznesmen kaq i fuqishëm të them të drejtën.”- kështu e nisi bashkëbisedimin me studentë e pedagogë në Universitetin Europian të Tiranës Samir Mane, sot një nga biznesmenët më të fuqishëm dhe një nga njerëzit më të pasur në vend.

Ai rrëfeu për të pranishmit se e ka nisur biznesin në fillim të viteve ’90, duke shitur radio-recorder dhe televizorë.

“Por mënyra si e kam filluar ka qenë edhe më interesante. Te Banka e Shqipërisë, aty pranë, ka qenë dikur tregu i Dollarit; ka pasur me qindra njerëz që shisnin dhe blinin. Për arsye se kisha vizë austriake, disa shokë me propozuan të merrnin dhrahmi greke e t’i thyenim në dollarë amerikanë dhe kështu bëmë.” –ka vijuar Mane, bizneset e të cilit janë të shtrirë në disa sektorë në treg. “Këtë punë e bëra për disa muaj. Dhe nga një student në Austri me pothuajse pa asnjë të ardhur, ditën e parë u ballafaqova me 5 mijë dollarë fitim, që ishte një gjë që më tronditi dhe mua. Shkoja tri herë në javë, çoja dhrahmi i ktheja në dollarë dhe kështu e nisa.” – duke shtuar se shpesh është rastësia ajo që të sjell në biznes.

Mane është nga ata biznesmenë që e ka nisur pa asgjë. “Skam pasur asgjë të trashëguar. Prindërit e mi ishin të dy punëtorë. Unë jam një nga ata që quhen “self-made milioner”.”
Mane rrëfen se në fillim të viteve ’90 tregu ishte shumë i varfër dhe madje ai zbuloi se në vitin 1992 e nisi duke shitur 5 televizorë biznesin e tij, që një vit më vonë, në ’93 shkoi në 120 të tillë, në ’94 kaloi edhe sektorin e veshjeve, e më vonë me qendra tregtare e supermarkete, ndërsa më vonë e shtriu veprimtarinë në shtetet fqinjë e duke vajtur deri në Ukrainë e Rusi, në tregje të mëdha. “Padyshim që rastësia më bëri të jem këtu ku jam”- tha Mane.