.

Rënia e euros, Prof. Arben Malaj shpjegon: Ja kush fiton dhe kush humbet

Rënia e euros nuk ka të ndalur. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 129.05 lekë, me një rënie ditore prej 0.88 lekësh. Së bashku me nënçmimin e djeshëm prej 0.93 lekë, kjo është rënia më e madhe dy ditore të paktën vitet e fundit. Ky është niveli më i ulët që nga 21 korriku i vitit 2009.

Një vit më parë, në të njëjtën datë, një euro këmbehej me 135.88 lekë.

Hapur.al ka pyetur Profesor Arben Malajn se pse ndodh ky fenomen si dhe kush fiton e kush humbet prej tij. Më poshtë prononcimi i tij:

“Faktorët janë disa. Një analizë e thelluar e rritjes se ofertës, rënies së kërkesës ose të dyja bashkë, të cilat ndikojnë në mbiçmimin ose nënçmimin e monedhës kombëtare, është e domosdoshme. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë, identifikojnë si faktorë kryesorë rënien e kërkesës për valutë dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.Ndërsa efektet luhatëse të ofertës në rritje ose ulje, i konsiderojnë të përkohshme”. – shprehet Malaj.

Kush fiton nga mbiçmimi i monedhës kombëtare?

Malaj: “Kur monedha jonë mbiçmohet, do të thotë që një euro blihet me më pak lekë. Në qoftë se përpara disa viteve duheshin 140 lekë për të blerë një euro, këtë vit duhen 132 lekë për një euro. Pra nga mbiçmimi i monedhës, një importues fiton 8 lekë për euro, ndërsa një eksportues humbet 8 lekë për euro.

Për pasojë përfituesit kryesorë të mbiçmimit të lekut janë importuesit, sepse importojnë në euro dhe e blejnë atë më lirë.
Përfitojnë gjithashtu kush i ka të ardhurat në lekë dhe i ka detyrimet në euro, psh huamarrësit në euro, nxënësit që paguajnë tarifat e shkollimit në euro, brenda ose jashtë vendit, shërbimet shëndetësore në euro apo pushimet në euro. Gjithashtu, shlyerja e borxhit individual të biznesit dhe borxhit publik, bëhet më e lehtë.”

Kush janë humbësit kryesorë?

Malaj: “Eksportuesit sepse shesin në euro dhe paguajnë në lekë pagat dhe shpenzimet e tjera. Depozituesit në euro që kanë detyrime në lekë etj”.

@hapur