.

Truku i pamundur për ta transformuar pjatën plot me kokainë, në ‘sallatë ruse’!

Nga Poli Hoxha

Një proces i çuditshëm nervor dhe psikologjik po ndodh me kryeministrin e vendit tonë, ditët e fundit.

Ka lënë çdo punë që i takon që të bëjë si kryeqeveritar i vendit dhe me një guxim të çartur, në mënyrë të ndërgjegjshme, ose ndoshta nga një frikë e madhe që ka zënë vend thellë-thellë në koshiencën e tij; apo në rastin më fatlum për shqiptarët, vetëm i kapluar nga delli i fantazisë konspirative të mishëruar tek një individ që lundron mes reales dhe sureales, ai po investohet fort që të ngjizet si perceptim jo vetëm këtu brenda, një skenar i frikshëm dhe i rrezikshëm, spiunazhi mbarëbotëror.

Po e bën këtë mu në zemër të Europës, në një rajon delikat fushëbetejash interesash gjeo-politike mes boshtit Euroatlantik dhe Rusisë, e mbi të gjitha në një vend anëtar i NATO, që ekziston si i tillë pa kushte dhe me detyrim përcaktim nga vetë SHBA.

ImageMobilizim në kuzhinën e Rilindjes

Në harkun kohor të 5 ditëve të fundit, nën kujdesin dhe kontributin personal të kryeministrit Edi Rama, shqiptarët po nxiten dhe po detyrohen të besojnë ekzistencën e një skenari të padëgjuar në Europë, as gjatë periudhës së errët të “Luftës së Ftohtë”. E gjithë kuzhina e Rilindjes po gatuan me nxitim, vetëm një pjatë.

Janë plot 16 statuse në pak ditë, intervista, video-montazhe etj, në faqen e tij në Facebook dhe të ashtuquajturin, ERTV, të cilat “dekonspirojnë” me një guxim të çartur kapjen e opozitës shqiptare dhe liderit të saj. nga shërbimet sekrete ruse. Një bombardim i pashembullt lajmesh të këtij lloji, vjen 24 në 24 orë, nga të gjitha mediat që kontrollohen dhe financohen prej tij në mënyra të ndryshme; kesh apo në natyrë.

Janë të njëjtat media që kanë shpallur alarmin se rusët na kanë kapur opozitën, por nga ana tjetër “çuditërisht” na përmbytin me lajme ngazëlluese, të “supermacisë” ushtarake të Rusisë së Putin.

Nëse do të merreshin seriozisht deklarimet e fundit të  kryeministrit të Shqipërisë nga shërbimet inteligjente të SHBA, NATO dhe të vendeve anëtare të BE-së, atëherë “të dërguarit” e tyre të shumtë në Ukrainë, Bjellorusi, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi apo Serbi, do të duhej të transferoheshin urgjentisht në Tiranë. Bëhet fjalë për kapjen nga rusët të partisë më të madhe opozitare në një vend 99% pro amerikan e europian, anëtar i NATO; për “rekrutimin” dhe financimin e kryetarit të saj, Lulzim Basha nga spiunë rusë. Jo shaka!

Image

“Sallata ruse”, si pjatë e vetme

“Sallatë ruse…interferenca malinje forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cënimit të imazhit të Shqipërisë (drogëdrogëdrogëkrimkrimkrim), me qëllim pengimin e procesit të integrimit europian dhe destabilizimin e vendit”, shkruan pa ju dridhur asnjë qime, kryeministri i një vendi anëtar i NATO.

Të mos citojmë këtu, edhe se çfarë thonë ndihmëskuzhinierët-ushtarët të tij, si Taulant Balla me shokë e shoqe nga 2-3 herë në ditë, sepse nëse i merr seriozisht, atëherë e vetmja gjë që të ngelet të bësh është të rrish me sytë nga qielli, duke pritur forcat special të CIA të zbresin nga helikopterët në oborr të selisë së PD-së dhe të rrëmbejnë “spiunin rus”, Lulzim Basha.

Spiunin  me pseudonimin “Holandezi”, që ka qenë i maskuar si ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe ka hedhur firmën për anëtarësimin e vendit në NATO. Spiunin që sot është maskuar si pro-amerikan dhe është pritur sistematikisht nga zyrtarët më të lartë të Shtëpisë së Bardhë, të Kongresit e Senatit në SHBA dhe gjithë kancelaritë e Europës.

Spiunët rus të opozitës shqiptare, që i kërkojnë llogari dhe rezolutë në parlament kryeministrit Rama, për shërbimin e madh që u bëri “forcave malinje të huaja” me votimin e fundit në OKB, i cili synonte turpërimin e SHBA dhe që ngazëlloi aq shumë Rusinë.

E gjithë kjo “sallatë ruse”, që po gatuan me shpejtësi Rama në vendin tonë, e mori indicien nga një shkrim investigativ i revistës amerikane “Mather Jones”. Edhe një lexues i përciptë pasi ka lexuar artikullin nuk gjen dot gjëkundi aty teorinë e kryeministrit shqiptar, për kapje të opozitës nga shërbimet inteligjente të Putin.

Flitet për transaksione, kompani offshore dhe emra të dyshimtë që kanë të bëjnë me individë dhe kompani ruse, por kaq. Ngado që ta vërtisësh këtë investigim, produkti i këtij lobimi me “para të dyshimta” ishin takime të kreut të PD-së në Washington, asistenca e “Çadrës” dhe më pas gjatë fushatës elektorale dhe një foto me presidentin Trump, që Rama po e lobon dhe e ëndërron kaq shumë.

Nëse ka një çështje në gjithë këtë, ajo ka të bëjë me burimin e 500 mijë dollarëve të pretenduar që janë paguar për këtë operacion politiko-lobues nga Partia Demokratike. Ky është një problem tradicional shqiptarë, që konsiston te një plagë malinje e demokracisë shqiptare siç është financimi i partive dhe që Edi Rama refuzon i pari, që ti jap drejtim me ligj, siç edhe ja kërkojnë me këmbëngulje ndërkombëtarët.

Këtë po e heton prokuroria, por Rama duket hapur se nuk e ka fare hallin te kjo pjesë. Ai është lëshuar me të gjithë fuqinë e motorëve të propagandës, që të krijojë perceptimin e “sallatës ruse” dhe të një konspiracioni spiunazhi që mbërrin deri në Washington.

Arrin deri aty (shih statusin e dt.11 Mars) sa që edhe kanadezin e kompanisë së lobimit, ish-pjesëtar i stafit elektoral të Trump ta quajë; “Rusi Nick Muzin”!

Image

Një truk i pamundur

Aktualisht pikërisht këto ditë kur në Tiranë Rama po ushqen tornadon e “sallatës ruse”, Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Vess Mitchell,  ka nisur një turne në rajonin tonë. Nga deklaratat e tij kuptohet qartë, se qëllimi themelor i këtij udhëtimi të parë të një zyrtari të këtij niveli në administratën Trump ka të bëjë pikërisht, me “rrezikun rus”.

Ditën e djeshme në Prishtinë, Mitchell e deklaroi troç se, “Rusia po luan një rol destruktiv në Ballkan duke shpërndarë dezinformata dhe duke dëmtuar institucionet demokratike”.

Nga ana tjetër, ministrat e BE-së pritet që të firmosin një deklaratë për të njëjtin shqetësim; rrezikun e shtuar rus. Në këtë linjë ishte edhe lëvizja e fundit e presidentit Trump, duke vendosur si Sekretar Shteti drejtorin e CIA.

Por po të marrim të mirëqenë skenarin e frikshëm, që po na servir Edi Rama këto ditë, nëse do të kishte një vend që do të vizitonte të parin urgjentisht zoti Mitchell, ai do të ishte kryeqyteti ynë Tirana.

Ndihmës Sekretari i Shtetit flet për një “fushatë ruse dizinformacioni”, në vendet e rajonit tonë. Po të shohësh me vëmendje edhe këtu në Shqipëri, mediat që bombardojnë me lajme anti-Trump, për ndarje kufijsh dhe për “supermaci ruse”, të gjitha identifikohen me ato që janë pranë Ramës dhe po tjerrin skenarin e kapjes së opozitës, nga shërbimet sekrete ruse.

Raportet e CIA dhe ato të shërbimeve inteligjente të vendeve të BE-së e kanë thënë qartë; se vendet më të rrezikuara nga ndikimi rus janë pikërisht ato me nivel të lartë korrupsioni dhe ku qeveritë janë të kapura nga krimi i organizuar. Në këtë kontekst Shqipëria, edhe pse përbën shqetësimin më të vogël për amerikanët me shpejtësi po shndërrohet në një “pe i hollë”, prandaj edhe aleatët ndërkombëtarë po i mëshojnë pikërisht shtetit ligjor, sepse punët e “spiunazhit” sa të jenë ambasadorët kryesorë në Tiranë, edhe “kryeministra edhe “kryetar” të SHISH, i kontrollojnë vetë.

Rama ka 4-5 ditë që nxit hapur prokurorinë, deri në shantazhim e urdhërim, për të devijuar çështjen e burimit të parave të lobimit, drejt një skenari spiunazhi. Arrin deri aty sa që denoncimet e opozitës për kanabisimin e vendit, kokainën e Maminasit së fundmi, korrupsionin galopant t`ja faturojë një pagese prej 500 mijë dollarësh që i paskan bërë rusët Lulzim Bashës, me qëllim njollosjen e imazhit të Shqipërisë së tij nëpër botë!

Nga njëra anë kemi sipas kuzhinës së Ramës, një Bashë që “ka vjedhur” plot 200 milion euro nga “Rruga e Kombit” së bashku me një firmë të mirënjohur amerikane dhe vetëm së fundmi mori një dorë prej 13 milion të tjera për pallatin në Vlorë, nga ana tjetër paska po ky Bashë paska rënë në rrjetën e shërbimeve sekrete ruse, për 500 mijë dollarë!

Pastaj me këta dollarë rusë, ka blerë jo vetë “kazanët” këtu brenda por edhe gjithë mediat më prestigje në botë që i nxorën bojën operacionit kriminal, Rama-Tahiri.

Pasi bëri të gjitha këto dhe një foto të shpejtë me presidentin Trump, me ato para ruse që mbetën pagoi edhe raportet e fundit të CIA, Zyrën e drogës në OKB, EUROPOL-in, anglezët e gjermanët, të cilët përveç kanabisit me një ministër të Brendshëm brenda të implikuar, ti shtonin Shqipërisë së Edi Ramës edhe “njollën” e kokainës, që vjen nga Amerika Latine dhe ajo e Jugut në sasi të mëdha në vendin tonë, për tu përpunuar dhe shpërndarë më pas në vendet e BE-së.

Pra 500 mijë dollarët që paska marrë Basha kushedi se ku, e paskan bërë Shqipërinë “pe i hollë” ndaj rrezikut rus, se të tjerat Rama i ka në vijë!

Rama i kërkon organit të akuzës nga 2-3 herë në ditë, që të përshpejtojë hetimin për “sallatën ruse” (në fakt nuk asnjë çështje të tillë në prokurori) që paska gatuar Basha kundër qeverisjes së tij, por për “sallatën e bardhë” të kokainës kolumbiane thotë se; ““Pse duhet që hetimi doganor dhe policia në atë operacion të kapnin gjithë rrjetin?!… I keni parë filmat amerikanë, gjithmonë argatët kapen…!”.

Natyrisht vetëm argatët kapen, deri në momentin kur beson se je një magjistar aq i madh, sa mund tu mbushësh mendjen shqiptarëve e gjithë botës, se pjata plot me kokainë që të ka ngecur në tryezë është thjesht; një “sallatë ruse”!

© SYRI.net