.

Stina e zgjimit të negociatorëve të vjetër të Paktit Detar

MYSLIM PASHA

1. Po vëmë si kryefjalë citime nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Paktin Detar midis Shqipërisë dhe Greqisë, tanimë të rrëzuar, por që do të rinegociohet. “ …Gjykata konstaton se zbatimi vetëm i parimit të baraslargësisë strikte në marrëveshjen e detit, objektgjykimi është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare si dhe me detyrimet, që burojnë nga neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. ..) “

b) mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes;

c) moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm;

ç) mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.”

2. Pranvera do edhe pak që të sjellë gjurmën më 21 mars kur është dhe Ekuinoksi i saj e dita do të bëhet e barabartë me natën. Për Negociatorët e Vjetër të Paktit Detar, çuditërisht ka një përshpejtim në këtë ndërrim të stinëve. Ata kanë nxjerrë sythet e janë çelur…në kundërshtim me Ekuinoksin! Njëri prej Negociatorëve të Vjetër, ish-Komandanti i Forcave Detare, përgjatë një muaji ligjëron të njëjtin avaz si të nëntë viteve më parë. Një kumt tjetër vinte nga Ministria e Europës…se KRYENEGOCIATORI i Paktit emërohej si ambasador në UNESKO.

Fillon dhe fërfërin era edhe për specialistë, juristë e ekspertë të tjerë, të ardhur nga një betejë e humbur, e tani përfshihen në një dinamikë të re. Në krye të ditëve të tyre, Sali Berisha projekton nga mendja e tij diabolike akuza për Gjykatën Kushtetuese dhe Blerjen e saj, ndërhyrjen e një shteti të tretë…etj. Ja pra, skena e shfaqjes që po ndjekim. Ndërkaq, të dy shtetet, Greqia dhe Shqipëria, sapo kanë vendosur që të rinegociojnë atë Pakt Famëkeq.

Kundëradmiralit i pati rënë barra që të mbronte Marrëveshjen e Delimitimit të hapësirave detare midis Greqisë dhe Shqipërisë si një mbrojtje dinjiteti për Qeverinë Berisha. Ky ballafaqim ish kryer asokohe në TV KLAN në emisionin OPINION. Ne emisionin e para ca ditëve të Fevziut, dallohej përsëritje e të njëjtave fakte, regjisura dhe detaje hartografike e të njëjtit skenar, në sfond të personazhit. Po ashtu, në këtë kornizë ku si një risi ishte edhe futja e termit “spiun” brenda bashkësisë së Negociatorëve të Rinj.

U dha i njëjti argument i asaj vije të baraslarguar (“Vija e mesme” )me 150 pika, hallka të një zinxhiri, me të cilën u pat gozhduar dhe ndarë Detin e Shqipërisë. Synohej dukshëm që t’i përcillej opinionit se ajo Marrëveshje kish qenë e vetmja dhe më e mira, më e arrira…ashtu siç e përshkruan me kompasin e tij shpesh, Sali Berisha. Në panel të analizës së Fevziut kishin ardhur opinionistë, të cilët filluan të flisnin për nostalgjinë e rënies së atij Pakti dhe jo për një vështrim të ri e dinjitoz të Negociatave të reja.

3. Në Emisionin e Fevziut frynte e njëjta erë e nëntë viteve më parë. Kundëradmirali kishte të njëjtin ligjërim, i kornizuar në veprën e humbjes dhe të dështimit. Aty për aty, ia bëhu një thagmë e paparë nga analisti Shkullaku kur propozoi se “Negociatorët e Vjetër.., të cilët janë vlerësuar tanimë me një gradë më të lartë, të ndërthuren me “Negociatorët e listës së fundit”, “ që të krijojnë një Grup Mix, se kështu do të realizohet një vepër negociatore e paqme”. A ju ngjan kjo si një spektakël i turpshëm dhe grotesk?

4. Po nga i njëjti panel filloi përgjërimi dhe vlerësimi për punën e Negociatorëve të Vjetër: “ Ç’të keqe kanë bërë?” se ato janë “Gabime specialistësh që edhe mund të ndodhin, pse duhet të ndëshkohen edhe pse mund të ketë pasur ndonjë lajthitje…” thonë panelistët e OPINIONIT! Dhe Deti kish humbur…. dhe beteja për hapësira e kish lënë Shqipërinë të turpëruar, inferiore! Kush do ta mbajë përgjegjësinë për këtë humbje të madhe?

5. Pas kësaj, erdhi pyetja e kurthit dhe e provës që i duhej bërë oponencës. “Na thoni se ku do t’i gjeni 354 km2, nga ato që do t’ia ktheni Shqipërisë!? Na thoni ku !?” I bëhej kjo pyetje në heshtje dhe tinëz Gjykatës Kushtetuese, çka nënkupton se ajo Gjykatë kishte marrë një vendim të padrejtë…! “Hë pra, ku i keni ato 354 km2 !?” Kundëradmirali bën të njëjtën pyetje dhe as do t’ia dijë të shikojë se ç’ka thënë e ç’ka vendosur Gj.K.

Ai s’i afrohet as formës së brigjeve të Atdheut të tij, as rrethanave, as parimit të Ekitesë, as shkëmbinjve e as ishujve të shumtë, as kombinimit të metodës dhe rregullimit të saj, as gjirit të Sarandës e as Barketës…ai është i lidhur me zinxhirët e metodës së baraslargësisë strikte, e cila gjeti mundësinë të futej në Negociata me një ekip aq të papërgatitur.

Sepse ai, që në fillesë të parë të tij ishte një Pakt i Fshehtë, -pa gjithëfuqinë e Presidentit, -pa njohje në Mediume -pa njohje në opinionin shqiptar, – me shpejtësinë marramendëse… në harkun kohor të një viti 2008-2009. -pa versione projektesh propozuese paraprake nga pala jonë, që duhet të ishin të dokumentuara. -hartën e fshehtë greke që përdorte pala shqiptare është zbuluar dhe mban datën 4 mars 2009, në të cilën është vija e 150 pikave të baraslargësisë strikte. Shikoni se sa zhveshur paraqitet ekipi shqiptar, që përfaqëson Republikën e Shqipërisë. Dhe në OPINION vijon ashtu e sëmurë, të bëhet pyetje: “Hë pra, ku i keni 354 km2 ?”

6. A duhej të përfytyronte Fevziu dhe analistët për ta bërë një pyetje fare të thjeshtë: “Po sikur!? “ Kush mund ta bëjë këtë pyetje? Po sikur!?… ai gazetari, Tedi Blushi dhe “Gazeta Shqiptare” të mos kish dyshuar për Paktin e të mos kish sjellë një listë koordinatash të asaj marrëveshjeje për ta konsultuar? Çdo të kishte ndodhur? Kjo ishte një kauzë e mediumeve të këtushme; kauzë nga më mbresëlënëset e gazetarisë shqiptare! …Pakti do të ishte firmosur dhe ratifikuar në të dy Parlamentet.

Fshehtësia e faljes së detit do ta kish një kapak dhe historia mbetej e groposur! Shqipëria e humbur! Ndërkaq, sot Negociatorët e Vjetër dalin “krenarë dhe me kokën lart” për humbje të Integritetit Territorial të Shqipërisë në Detin Jon, Kanalin e Korfuzit dhe Ngushticën e Otrantos. Ja, kjo ishte vepra antikombëtare, për të cilën nuk u fol në emision. Ish-Komandanti i Forcave Detare, vepra e të cilit u gjykua nga Gjykata Kushtetuese, ligjëronte të njëjtin avaz tragjikomik në disa mediume, sa rrallë mund ta gjesh në praktikën e Negociatave mes shteteve në rastet e Delimitimit të Deteve midis tyre. Ai vijonte të mbronte betejën e tij të humbur. Dhe ai është Bashkëushtaraku dhe miku im?