.

Dita e mësuesve/ Kryemadhi: Të luftojmë për paga më të larta për mësuesit dhe kushte më të mira

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi me anë të një postimi në rrjetin social facebook, ka uruar të gjithë mësuesit për festën e “7 Marsit”.

Në statusin e publikuar, Kryemadhi bëri thirrje që kjo ditë të shërbejë si motivim, në mënyrë që të luftohet që mësuesit të kenë paga më të larta dhe kushte më të mira.

Gjithashtu kreu i LSI-së tha se mësuesit duhet të jenë larg ndikimit politik, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ketë të rinj të formuar sa më mirë.

Kjo nuk është vetëm dita e respektit dhe nderimit ndaj tyre, por dhe dita jonë e ndërgjegjësimit për një vëmendje të shtuar ndaj të gjithë mësuesve në Shqipëri”, shkruan Kryemadhi.

Postimi i plotë:

Një urim i veçantë sot për të gjithë mësuesit në Shqipëri, që çdo ditë me përpjekjet e tyre ndihmojnë në arsimimin e gjeneratës së re.

Urimet sot u shkojnë dhe mësuesve që janë në pension, ata që në kushte të veshtira u përpoqën të ndiznin zjarrin e diturisë te brezat që shkolluan.

Kjo ditë është shenjë e respektit tonë për sakrificat e çdo edukatori, që përtej kufizimeve ekonomike dhe politike u mundua të sillte dijen për brezin e ri.

Për ata mësues që përveç detyrës, ndihmuan dhe sakrifikuan edhe gjatë diktaturës për të mos bërë dallime mes fëmijëve të të persekutuarve, që u ngritën mbi çdo vështirësi dhe kapërcyen pengesat ideologjike për të qënë modeli i fëmijëve në jetë.

Për mësuesit e sotëm, që përtej çdo pengese dhe keqtrajtimi politik ende kanë durimin dhe dëshirën për të edukuar brezat e rinj, për ata edukatorë që në klasa të tejmbushura gjejnë kohën dhe vullnetin të kujdesen për fëmijët me nevoja speciale.

Sot është dita e tyre dhe lulet nuk mjaftojne për të shprehur mirënjohjen ndaj tyre, madje as një status në Facebook apo urimet e politikanëve.

Të gjithë ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, që një ditë si kjo të shërbejë si motivim që të përpiqemi, përballemi me problematikën dhe të luftojmë që mësuesit në Shqipëri të kenë paga më të larta dhe kushte më të mira, të jenë larg ndikimit dhe kapriçiove të politikës, për të patur të rinj të formuar sa më mirë.

Kjo nuk është vetëm dita e respektit dhe nderimit ndaj tyre, por dhe dita jonë e ndërgjegjësimit për një vëmendje të shtuar ndaj të gjithë mësuesve në Shqipëri.