.

A do të ketë protestë në pranverë? Nisin lëvizjet e para në PD e LSI

Me përfundimin e protestës së janarit dhe shpalljes së një “epoke” tubimesh, opozita e PD-së dhe LSI-së duket se do të organizojë një tjetër protestë në muajin mars.

Pavarësisht se ishte rakorduar mes dy partive të opozitës një skenar për protesta edhe në shkurt, duket sikur PD e LSI e kanë “shtyrë” në kohë atë që kanë premtuar që vitin e kaluar. Muaji mars shihet si koha e përshtatshme për të organizuar protestën e rradhës, e cila pritet që t’i qëndrojë besnike “modelit” të krijuar në protestën e janarit, ku u vu re mungesa e plotë e simbolikës partiake.

Kësaj here PD do të protestojë me shumë gjasa nën siglën e atyre mijërave qytetarë të cilëve qeveria u ka hequr ndihmën ekonomike. Në muajin mars pritet që protestat të shpërndahen kudo nëpër qarqet e vendit dhe të mos lihen vetëm në “mëshirën e fatit” nga një tubim i madh në kryeqytet.

Në PD e LSI kanë filluar që tashmë lëvizjet e deputetëve dhe anëtarëve të partive respektive, për të mbledhur të dhëna mbi situatën e krijuar dhe pasojat tek qytetarët, që ka sjellë heqja e mijërave rasteve të dhënies së ndihmës ekonomike.

Një zhvillim interesant mbi këtë çështje mbetet dhe diskutimi që do të zhvillohet nesër në parlamentin e Shqipërisë, aty ku opozita ka depozituar një kërkesë mocioni me debat drejtuar kryeministrit Rama, për të shpjeguar heqjen e rreth 20 mijë rasteve të dhënies së ndihmës ekonomike.