.

SHBA dënoi dhunën e protestës, ambasadori Lu përfundon takimin me Bashën, i shkon në zyrë Monika Kryemadhit

Ambasadori Amerikan Donald Lu zhvilloi sot një takim me kreun e PD, Lulzim Basha. Takimi mes tyre dhe larg kamerave ka zgjatur rreth 70 minuta.

Ky takim vjen në një kohë kur situata politike në vend është e tensionuar për shkak të zgjedhjes së kryeprokurores së re, Arta Marku.

Mësohet se takimi është kërkuar nga vetë Lu, dy ditë pasi ambasada e SHBA dënoi dhunën e ushtruar në protestën e opozitës, zhvilluar ditën e hënë para Kuvendit.
Fill pas takimit me kreun e PD, Lulzim Basha, ambasadori i SHBA, Donald Lu është ndalur direkt në selinë e LSI.

Në këto momente po zhvillon një takim “kokë më kokë” me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi te selia e LSI.

Ndërkohë, ambasada e SHBA reagoi ditën e hënë, ditë kur u mbajt protesta dhe u votua në një seancë të pazakontë kryeprokurorja e re e përkohshme, Arta Marku duke dënuar ashpër protestat e dhunshme, duke i dhënë “OK” Arta Markut ndërsa atakoi edhe ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla që sipas zyrtarëve amerikanë nuk pati guximin të hetojë politikanët e korruptuar.