.

Opozita po e ndihmon sërish Ramën

Nga Ben Andoni

Është dukshëm në rënie ajo vetësiguri e kryetarit të Ekzekutivit Rama për qeverisje të lehtë dhe e cila në publik parashikonte vazhdimësi edhe përtej këtij mandati. Megjithë aksionet e vazhdueshme të trumbetuara fort, kërcënimet e penaliteteve por edhe retorikën e plotë, qeverisja Rama ka një zbehje të madhe të vetë besueshmërisë së saj. Kjo nuk reflekton thjesht impaktin që po pason rastin “Tahiri”, por gjithë atë diferencë që paraqet puna e dikastereve të tij me premtimet parazgjedhore.

Bash në këtë hulli po nis aksionin e ri Opozita shqiptare, që për fatin e keq, ka konfigurimin e vjetër, kur ndodhej në pushtet dhe kuptohet të mbartura edhe të gjithë hatërmbetjet. Po flitet përveç punës kundërshtuese parlamentare, që do bëjnë PD dhe LSI edhe për një protestë të madhe. Por mu këtu duken diferencat sepse 8 Dhjetori që i përshtatet PD-së sepse është brenda simbolikës së saj, nuk mund t’i shkojë LSI-së, që do të investojë elektoratin e vet, sipas mënyrës së saj. Në fund të fundit, më shumë se protestë kundër qeverisjes së Ramës, Opozita do të kontrollojë veten, por edhe diferencën me palën tjetër. Ndërkohë që një masë e madhe e elektoratit të LSI-së, e cila mban ende në xhep të dy teserat, është ende e pavendosur dhe në pritje për të vendosur se cilën teserë do të vazhdojë të mbajë. Militantët e PD-së, nga ana tjetër, megjithë mbështetjen e pakufi ndaj lidërshipit të tyre janë pakësuar por edhe zhgënjyer nga periudha e post-Çadrës dhe marrëveshja ende e pazbardhur mes kryetarit të tyre Basha dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama. Dhe, paradoksi nuk mbaron këtu, pasi retorika thellësisht përjashtuese e LSI-së që është shkaktare e kësaj gjendje po aq sa PS-ja, nuk është se ngre më shumë peshë mes zonës gri, masën e madhe të njerëzve që tashmë nuk pëlqejnë asnjë nga palët. Për më tepër, artikulimi i fundit nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është dukshëm i ekzagjeruar, sepse partia e saj ka qenë një patericë e mirë e PS-së në këto vjet.

Strukturat e LSI-së, si Konventa së fundmi dhe Asambleja te PD-ja kanë treguar se nuk rrëfejnë realisht gjendjen e vërtetë të elektorateve të tyre. Në këto subjekte janë më së shumti militantët që  para interesit të madh të përparimit të vendit venë atë të interesit të ngushtë.

Me shumë gjasë, po ndodhi sipas logjikës që po tregon momenti, PS-në do e rrëzoj ashtu si tetë vjet më parë vetë elektorati i PS-së dhe tragjedia e kësaj rënie do jetë se Shqipërinë do e drejtojnë ata që nuk bënë asgjë për vendin. Veçse u larguan me turp dhe me një kosto të lartë mbi interesat e vendit. Dhe, Gërdeci, 21 Janari dhe demarkacioni detar nuk mbulohen me asnjë retorikë, që përdoret sot, por aman i zgjon menjëherë impulset e fjetura te njerëzit për fytyrën e vërtetë të njerëzve që kërkojnë vetëm pushtet.

Sa për Edi Ramën tashmë sfida e tij është një e vetëm një: Jo të largohet kur t’i dojë qejfi, por të sforcohet ta mbyllë këtë mandat, që i është plasaritur keqazi që në muajt e parë të qeverisjes së dytë. Tek e fundit, njësoj si paraardhësit e tij, pushteti e ka velur aqsa të mos e shikojë të ardhmen, që nuk po duket aq e mirë e njerëzve, që i mbushi me aq shumë premtime boshe dhe me luftë ndaj gogolit Berishë, që tashmë po shkon drejt fundit të historisë politike.