.

Bilanci i viktimave shkon në 171, Merkel premton ndihma të shpejta financiare

Rritet bilanci i viktimave si pasojë e përmbytjeve të rënda në rajonet perëndimore të Gjermanisë. Sipas të dhënave zyrtare, vërshimet u kanë marrë jetën 171 personave, mbi 700 janë lënduar, ndërsa 155 të tjerë mbesin të zhdukur.

Autoritetet i druhen faktit që bilanci i viktimave mund të përkeqësohet. Ende pa kaluar dhimbja, Gjermania përjetoji përmbytje të reja, këtë herë në Bavari. Kancelarja Angela Merkel zhvilloi vizitën e dytë në zonat e prekura dhe tha se kostoja për rindërtimit do të jetë më e madhe nga se parashikohej.

“Do të krijojmë një program për ndihmë financiare. Do të jetë e menjëhershme dhe jo burokratike. Ndihma financiare duhet t’u shkojë njerëzve sa më shpejt të jetë e mundur, të cilët shpesh nuk kanë asgjë më shumë se rrobat që mbajnë dhe janë plotësisht të varur nga kjo”, tha Merkel, duke iu përgjigjur kështu kritikave në rritje lidhur me keqmenaxhim të situatës me përmbytjet dhe se qeveria e saj nuk paralajmëroi sa duhet banorët për rrezikshmërinë e vërshimeve.

Kancelarja planifikon që të lëvrojë 200 milionë euro për ndihmë të menjëhershme për rindërtimin dhe riparimin e ndërtesave dhe infrastrukturës lokale të dëmtuar. Ndërkohë, kur kanë mbetur më pak se 10 javë nga zgjedhjet parlamentare, përmbytjet e rënda kanë zhvendosur debatin politik në aftësitë e Gjermanisë në menaxhimin e krizave. Opozita po tenton të fitojë pikë duke theksuar se bilanci i viktimave tregon dështimin e qeverisë në parapërgatitje për të përballuar përmbytjet./A2