.

Ambasada shqiptare në Izrael njofton se rrezikohet nga sulmet me raketa

Sulmet me raketa nga Hamasi kanë vënë në rrezik ambasadën shqiptare në Izrael. Ky shqetësim është ngritur nga ambasada shqiptare përmes një njoftimi në rrjetin social “Twitter”.

Sipas njoftimit të ambasadës, pak minuta më parë ka pasur goditje raketash pranë zyrave të saj.

“Goditje raketash në Ramat Gan, pranë ambasadës shqiptare gjithashtu, midis breshërive të mëdha në Izraelin qendror. Shumë të shqetësuar nga sulmet pa kriter nga Hamasi në Izrael. Civilët nga të gjitha anët duhet të mbrohen dhe kjo situatë shpërthyese duhet të de-përshkallëzohet,” shkruan ambasada shqiptare në “Twitter”.
Ambasada shqiptare ka shpërndarë një reagim të ambasadores së Austrisë në Izrael Hannah Liko, e cila thotë se ka pasur goditje me raketë shumë afër ndërtesës së ambasadës austriake.

“Sapo pati një goditje rakete në Ramat Gan afër Ambasadës Austriake. Për fat të mirë të gjithë jemi të sigurt. Kjo duhet të ndalet menjëherë!” shkruan ambasadorja austriake në Izrael Hannah Liko.

Si pasojë e konfliktit raportohet se të paktën 126 njerëz janë vrarë, përfshirë 31 fëmijë dhe 20 gra në Gaza, kurse në Izrael shtatë persona kanë vdekur, mes tyre një djalë 6-vjeçar dhe një ushtar./Euronews