.

Tym e flakë, pamje të reja nga sulmet me raketa të Izraelit mbi Gaza, shihni kaosin në rrugët e vendit

Janë publikuar pamje të reja nga sulmet ajrore të Izraelit kundër caqeve të militantëve në Rripin e Gazës, ndërsa mediet botërore raportojnë se situata është e rënduar pasi disa raketa qëlluan drejt Jerusalemit.

Sipas BBC, Ministria palestineze e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se 20 vetë, përfshirë fëmijë, kishin vdekur nga sulmet.

Ndërkohë, në Jerusalem, zjarri me raketa bëri që parlamenti i Izraelit të evakuohej, ndërsa dëgjoheshin sirenat.

Tensionet midis Izraelit dhe Palestinezëve u rritën në ditët e fundit. Udhëheqësit e Hamasit të Gazës kishin kërcënuar se do të godisnin pasi qindra palestinezë u plagosën në përleshjet me policinë izraelite në Jerusalem të hënën.

Ndërkohë Izraeli tha se kishte vrarë të paktën tre militantë të Hamasit.

“Ne kemi filluar, dhe e përsëris filluar, për të sulmuar objektivat ushtarake në Gaza”, u ka thënë gazetarëve, zëdhënësi ushtarak izraelit Jonathan Conricus.
Ndërsa burime të Hamasit kanë thënë për BBC se një komandant i Brigadave Izzedine al-Qassam, Mohammed Abdullah Fayyad, ishte vrarë.

E kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha se Hamasi kishte “kaluar një vijë të kuqe” dhe se Izraeli do të përgjigjej “me forcë të madhe”.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, tha që Hamasit i duhej të përfundonte sulmet me raketa “menjëherë”, duke shtuar: “Të gjitha palët duhet të de-përshkallëzohen”.

Ndryshe, ditët e fundit kanë parë dhunën më të rëndë në Jerusalem për vite me radhë, me më shumë se 300 palestinezë të plagosur në konfrontime me policinë izraelite jashtë xhamisë al-Aqsa të hënën.