.

Rama në Euronews: Vendi ynë meriton të hyjë në rrugën e plotë te hapjes së negociatave, Europa s’ka qenë e mirë në mbajtjen e premtimeve

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë me gazetaren Giorgia Orlandi, në emisionin “Global Conversation” në “Euronews”, deklaroi se Shqipëria ka pësuar një ndryshim të madh në vitet e fundit.
Rama theksoi se vendi ynë meriton të hyjë në rrugën e plotë te hapjes së negociatave.

“Shqipëria ka një ndryshim të madh. Ne jemi mëse gati të hyjmë në negociata për në BE. Shqipëria meriton të hyjë në rrugën e plotë te hapjes së negociatave. Mandati i tretë i PS është për të mbaruar punët që kemi nisur. Ne planifikojmë vetëm që të punojmë. Për ne, Europa nuk është destinacion politik apo objektiv, Europa është fe. E askush nuk mund ta tradhtoj këtë fe në Shqipëri, sepse për ne Europa është amanet, është një detyrim për fëmijët tanë gjithashtu. Kjo është arsyeja se përse ne do të punojmë fort e më fort, e më fort, për ta bërë Shqipërinë një shtet europian, që funksionon si i tillë. Shqiptarët nuk lodhen kurrë së luftuari për të qenë pjesë e Europës.

Sigurisht, zhgënjimet kanë qenë vijuese. Europa nuk ka qenë e mirë në mbajtjen e premtimeve të saj. Ne kemi bërë detyrat e shtëpisë dhe do të vahdojmë t’i bëjmë, sepse siç thashë, për ne Europa është ajo që ka qenë ditën e parë. Përherë të tjerët kanë vendosur për ne, vendi ynë ka qenë në hapësira të tjera, jo në hapësirat që duam ne, e që është BE”, u shpreh ndër të tjera Rama.

Intervista

Kërkesa e Shqipërisë për të nisur bisedimet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian mund të bëjë një hap përpara me konferencën e parë [ndërqeveritare] që pritet të propozohen së shpejti – sa domethënëse është kjo?

“Është shumë e vështirë ta thuash, shumë e vështirë sepse këtë hap duhej ta ndërmerrnim disa vjet më parë dhe përsëri e përsëri. Por nuk ndodhi… për shkak të dinamikës së brendshme në Këshillin Evropian dhe… shpresojmë se ky do të jetë rasti. Po nuk është e lehtë.”

Çfarë jeni përgatitur të bëni nëse bisedimet ngecin sërish?

“Ne nuk planifikojmë asgjë tjetër përveçse të vazhdojmë të punojmë, sepse për ne Evropa nuk është një objektiv apo destinacion politik, Evropa është një fe! E askush nuk mund ta tradhtojë këtë fe në Shqipëri, për shkak të faktit të thjeshtë se Evropa është një amanet dhe është në të njëjtën kohë një detyrim ndaj fëmijëve tanë. Kjo është arsyeja se përse ne do të punojmë gjithnjë e më fort, më fort, më fort, për ta bërë Shqipërinë një shtet evropian që funksionon plotësisht.”

Që nga fillimi, afrimi i Shqipërisë drejt BE-së ka qenë një premtim politik i juaji. Duke pasur parasysh gjithë këto vite që kanë kaluar, sa domethënie ka anëtarësimi në BE për Shqipërinë sot?

“Ka gjithmonë po aq shumë domethënie sa kishte ditën e parë. Shqiptarët nuk lodhen kurrë së luftuari për të qenë pjesë e Evropës. Sigurisht, zhgënjimet kanë qenë vijuese dhe Evropa nuk ka qenë e mirë në mbajtjen e premtimeve të saj. Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë sepse, siç thashë, për ne Evropa është ajo që ka qenë që nga dita e parë, kur kemi dalë nga komunizmi dhe kjo është hera jonë e parë në histori që ne mund të zgjedhim. Asnjëherë nuk e kemi pasur mundësinë e zgjedhjes, të tjerët vendosnin për ne dhe vendi ynë ishte në hapësira të tjera, por jo në hapësirën që dëshironim gjithmonë e që është Europa, Bashkimi Europian”.

Me procesin e anëtarësimit në BE që po zgjat më shumë se sa pritej, duket se Ballkani Perëndimor është bërë një fushë beteje edhe për fuqitë e jashtme, cili është mendimi juaj, ku qëndron Shqipëria për të gjitha këto?

“Duke mos qenë plotësisht i integruar në Bashkimin Evropian, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë gri që i ofron tërheqje dhe shanse aktorëve të tjerë… aktorë të tretë që nuk kanë të njëjtën qasje beninje dhe të njëjtat vlera dhe parime që Bashkimi Evropian ofron. Sa për Shqipërinë, nuk shoh ndonjë rrezik të afërt sepse shqiptarët janë shumë fanatikë për perëndimin dhe për Bashkimin Evropian. Vendet e tjera pak a shumë kanë shumë më shumë lidhje me këto ndikime nga aktorë të tjerë.”

Në vitet e fundit, Shqipëria ka kaluar nëpër ndryshime kushtetuese në shkallë të gjerë, kur bëhet fjalë për luftimin e korrupsionit, implementimit të reformave. Situata është përmirësuar, por nuk është e mjaftueshme. Sa përparim mendoni se ka bërë Shqipëria, sidomos kur bëhet fjalë për shtetin e së drejtës?

“Ka një ndryshim të madh midis anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe hyrjes në rrugën e plotë të negociatave! Siç jemi sot nuk jemi gati të jemi anëtarë, pa dyshim. Por siç jemi sot, ne jemi më se gati për të hyrë në rrugën e plotë të negociatave dhe këtu qëndron pika kontradiktore, ku Evropa po tregohet dritëshkurtër dhe disi edhe hipokrite, sepse Shqipëria meriton të hyjë në rrugën e plotë të negociatave.”

A mendoni se është ky progres që ju ndihmoi të zgjidheshit sërish?

“Unë mendoj se njerëzit në Shqipëri kanë ndjesinë e qartë se puna nuk ka mbaruar. Mandati i tretë është një mandat i qartë për të mbaruar punën, jo shpërblimi për një punë të përfunduar.”

Le të ndalemi dhe te procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, cili është qëndrimi juaj në lidhje me dokumentin jozyrtar që është qarkulluar në Bruksel, që mbron idenë e ri-përcaktimit të kufijve të Ballkanit Perëndimor? Nga Presidenti i Maqedonisë së Veriut kemi dëgjuar të thotë se do të ishte thjesht katastrofike…

“Qëndrimi im është shumë i thjeshtë. Për sa kohë ne, dhe kur them ‘ne’ e kam fjalën për gjithë aktorët, lojtarët – Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, lojtarët në rajon – nuk do të përmbysim status quo-në me një qasje shumë të hapur dhe të qartë, frustrimet do të jenë të pranishme dhe do të shfaqen nga idetë më qesharake deri te idetë më të çuditshme. Sepse status-quo-ja nuk është një opsion. Po teksa kemi mosmarrëveshje të thella për të zgjidhur ne duhet të biem dakord që të mos biem dakord për to, po ama në të njëjtën kohë duhet të shtyjmë bashkarisht për të forcuar bashkëpunimin tonë, që të krijojmë në rajon një zonë Shengen funksionale me të gjitha liritë e Evropës./BW