.

Socialistët nuk vonojnë: Nesër në Kuvend shkarkimi i Metës. Nuk presin të dëgjojnë Presidentin

Vijon beteja mes socialistëve dhe presidentit Ilir Meta.

Socialistët nuk humbin kohë por do të paraqesin nesër në seancë parlamentare kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Metës. Me 14 vota pro dhe kundër vetëm votën e deputetit Adriatik Alimadhi kalon nesër në Kuvend propozimi i 49 deputetëve socialistë për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit.

Ndërkohë kreu i shtetit nuk u paraqit sot në seancë dëgjimore duke deklaruar se agjenda e tij ishte e paracaktuar dhe i mundëson zhvillimin e këtij bashkëbisedimi vetëm më 10 maj 2021.

“Pikërisht nisur nga axhenda zyrtare dhe e ngjeshur e Presidentit të Republikës, si dhe duke marrë në konsideratë volumin e informacionit që mund dhe duhet diskutuar me Komisionin e Ligjeve, çështje këto që përfshijnë pyetjet, rastet, verifikimet dhe të dhënat, të cilat i kemi evidentuar në shkresën tonë nr. 1520/2 prot., datë 5.5.2021, dhe për të cilat kemi pritur reflektimin tuaj, kemi shprehur gadishmërinë e Presidentit për t`u takuar, diskutuar e për t`u shprehur me Komisionin e Ligjeve, qoftë dhe virtualishtnëpërmjet platformës CISCO-WEBEX, në datën 10 maj 2021” shkruhet në kthim përgjigjen e presidentit.
Por për socialistët kjo është vetëm një tentativë e presidentit për ta shpallur të pavlefshme.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja bëri të ditur se nesër në seancë plenare do të votohet kërkesa e deputetëve socialistë për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e tij.

“Momenti i ngritjes së komisionit hetimor duhet të jetë para 4 mujorit të fundit të mbarimit të kësaj legjislature. Kuvendi nesër në seancë plenare do të votojë për ngritjen ose jo të komisionit hetimor. Nesër do ta votojmë. Pastaj se kur e përfundon punën ky komision hetimor varet nga afati që do të përcaktojë. Nëse do ta përfundojë brenda afatit që cakton puna e komisionit hetimor konsiderohet e mbyllur puna e tij. Presidenti duke kërkuar datën 10 maj kërkon që kërkesën e 49 deputetëve socialistë ta nxjerrë jashtë afatin. Presidenti tenton të pengojë qëllimisht punën e kuvendit të Shqipërisë”.