.

Shpërthen Nard Ndoka, mbështet tezat e përhapura: PD po shndërrohet më tepër në një parti islamike

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, aleat i PD-së, i mbetur jashtë Parlamentit akuzon partinë më të madhe të opozitës se po kthehet në një parti islamike.

Kryedemokristiani në faqen e tij zyrtare ka ripostuar një koment të një analisti mediatik, Kastriot Myftaraj, si cili kishte deklaruar se “PD-ja me Bashën do të shndërrohet gjithmonë e më tepër në parti islamike”.

Ky status ka shkaktuar reagime ndaj Ndokës ku qytetarët shprehen se “nuk ka ardhur e keqja Shqipnisë as partisë nga ata që e njohin Zotin që e kanë frikë dhe i luten atij qofshin këto Muslimanë, Katolikë ose çfarëdo feje qiellore që i përkasin. E keqja e këtij vendi janë ata që s’e njohin Zotin dhe s’e kanë frikë atë dhe dinë veç të vjedhin e plaçkisin, atyre duhet t’u kundërvihemi të gjithë bashkë i nderuar”.

Ndoka më pas në një reagim tjetër thekson se “Po flasim për orientim politik, jo per besimin në Zot!”

Statusi që Ndoka hodhi në Facebook

“Mbështetësit e Lulzim Bashës na thonë se nëse rri apo jo ai në krye të PD-së kjo gjë është një çështje e brendshme e kësaj partie dhe të tjerët jashtë partisë, u pëlqen ose jo, nuk kanë lidhje me këtë gjë. Kështu do të ishte normalisht, nëse PD-ja nuk do të paraqiste një tjetër rrezik. Basha duke ndjerë rrjedhje të mbështetësve brenda partisë, por kërkon gjithmonë e më tepër mbështetjen e myslimanëve praktikues të cilët tash e tutje do të përbëjnë bazën e fuqisë së tij politike.

Në PD gjithmonë ka pasur një rrymë të fuqishme islamike por tani e tutje kjo do të bëhet mbisunduese. Kuptohet që do të ketë disa të krishterë, katolikë dhe më pak ortodoksë, si Mark Marku, Agron Gjekmarkaj, Edi Paloka, Sorina Koti, sa për dekor politik. Por partinë do ta dominojnë muslimanët praktikues.

Nuk e kam fjalën për njerëzit që janë myslimanë për nga prejardhja familjare në kuptimin që paraardhësit e tyre kanë qenë kthyer dhunshëm në fenë islame në kohën e pushtimit osman, s’ka ndodhur me të gjithë shqiptarët, dhe që në shumicën e tyre nuk janë praktikues islamikë.

Fjalën e kam pikërisht për praktikuesit islamikë. Kjo gjë e shndërron PD-në në forcë të Islamit politik që përbën rrezik për rendin kushtetues dhe shtetin laik në vendin tonë. Ndër 59 kandidatët fitues të PD-së në zgjedhjet e 25 prillit, ka 32 myslimanë praktikues, meshkuj dhe femra.

Kjo gjë e bën PD-në mbështetje për një lëvizje politike islamike në Shqipëri në të ardhmen. Duhet pasur parasysh se edhe ndër deputetët fitues të PS ka myslimanë praktikues. Vetë Kryeministri Rama vesh shallvare si simbol të trashëgimisë osmano-anadollake.