.

“Fitorja e PS-së është edhe imja”, nuk siguroi mandatin e deputetit në zgjedhje, Bushati: Nëse unë isha heroi i vogël për PS-në …

“Fitorja e PS-së është edhe fitorja ime”, kështu u shpreh sot, deputeti Ervin Bushati, i cili në zgjedhjet e 25 prillit nuk arriti të sigurojë një mandat në parlamentin e ardhshëm për shkak të votave të pakta preferenciale.

Në përgjigje të interesit të gazetarëve, Kreu i PS-së për Tiranën Ervin Bushati tha se çdo fitore e madhe e ka një akt heroik sado modest.

“Ka shumë vota të pavlefshme. Ka qenë një sistem i ri, shumë nga qytetarët nuk e kanë kuptuar mirë. Kur je në një betejë me kundërshtarët patjetër që ka zonë kontributi, zonë zjarri. Më vjen mirë që kisha privilegjin e një vendi të mirë në listë.

Gjithashtu mora edhe përgjegjësinë më të madhe, dhe kjo i dedikohet përkushtimit. Çdo fitore e madhe e ka një akt heroik sado modest. Nëse unë isha heroi i vogël për PS-në jam i nderuar në fakt sepse ka dhënë shumë për mua. Është një histori që e kam parë edhe përsëritet nga 2009-ta”, u shpreh Bushati.

Kreu i PS-së për Tiranën Ervin Bushati është një prej atyre kandidatëve që u spostua dhe që nuk e fitoi dot mandatin e deputetit edhe pse në listë ishte në vendin 3 tretë.