.

Defender Europe 21/ Peleshi: Sprovë për të treguar që jemi në lartësinë e duhur, jam i sigurt që djemtë dhe vajzat tona me uniformë do të na nxjerrin faqebardhë

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, në fjalën e tij në nisjen e stërvitjes së NATO-s në Shqipëri, të quajtur “Defender Eruope 21”, shprehu falënderimet e tij për forcat tona të armatosura.

Ai tha se kjo stërvitje është një sprovë për të treguar që jemi në lartësinë e duhur dhe theksoi se djemtë dhe vajzat tona me uniformë do të na nxjerrin faqebardhë në këtë stërvitje.

Ai numëroi gjithashtu, vlerësimin e lartë që kanë marrë ushtarakët tanë, në operacionet e ndryshme ku NATO ka marrë pjesë në botë.
“I nderuar zoti President i Republikës,

I nderuar Kryeministri Rama,

Të nderuar miq të Shqipërisë dhe Forcave tona të Armatosura, gjeneralë Ëolters, Cavoli, Harrigian,

E nderuara Ambasadore Kim,

I nderuar Shef i Shtabit të Forcave të Armatosura,

Të nderuar kolegë ministra, Ambasadorë, të ftuar,

Të nderuar ushtarakë të Forcave mike dhe Forcave tona të Armatosura pjesëmarrës në këtë stërvitje të jashtëzakonshme.

Më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në Ditën e Vizitorëve të Shquar të stërvitjes “Defender Europe 21”. Kemi fatin të jemi pjesë e stërvitjes më të madhe të zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë dhe në rajon. Kemi gjithashtu, përgjegjësinë, për të dëshmuar se Shqipëria dhe kapacitetet e saj të mbrojtjes janë në lartësinë e kërkuar nga aleatët.

“Defender Europe 21” vjen si një gur themeli i fortë i miqësisë së shkëlqyer që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria kanë zhvilluar ndër vite. Nuk mund të mungonte një stërvitje e përmasave të tilla në përvjetorin e 30të të ri-vendosjes se marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve tona.

Ju jemi mirënjohës që zgjodhët Shqipërinë si një ndër 12 vendet “host”, për këtë stërvitje. Në të njëjtën kohë, ju siguroj se vullneti ynë për të qëndruar në krahun tuaj në çdo rrethanë, sfidë dhe përpjekje është i palëkundur.

Kjo stërvitje është mbi të gjitha shprehje e dëshirës dhe vullnetit të Aleatëve për të qëndruar sëbashku dhe për të luftuar sëbashku në mbrojtje të jetës, pronës dhe lirisë së qytetarëve të tyre.

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë si pjesë integrale e kësaj stërvitje kanë një mundësi “të artë” për të rikonfirmuar se janë në lartësinë e duhur. Jo vetëm në vlerësimin e aleatëve tanë të vyer, por edhe në sytë e qytetarëve tanë.

Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se dashuria e shqiptarëve për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e pakushtëzuar. Po ashtu, dëshira për të qenë pjesë e Europës së Bashkuar përbën një ëndërr 30 vjeçare për çdo shqiptar. Vokacioni i popullit tonë, ai Perëndimor, është shumë i çiltër dhe natyral.

Jemi përpjekur të tejkalojmë çdo kufizim të burimeve njerëzore dhe atyre logjistike për të qenë partnerë të vyer në NATO. Dëshmia më e qartë e përpjekjeve tona është pjesëmarrja, pa asnjë hezitim, në çdo operacion dhe mision ku kanë shkuar trupat aleate. Kemi qenë në krah të Aleatëve duke dëshmuar se forca e një kombi qëndron më së shumti tek vlerat e tij sesa tek numri i popullsisë.

Me lejoni këtu të shpreh me ju, të nderuar pjesëmarrës, krenarinë e pamasë për vlerësimet e shkëlqyera që ushtarakët tanë marrin vazhdimisht, nga kolegë, eprorë, bashkëluftetarë në operacione, misione apo iniciativat ku kemi marrë pjesë. Dhe ato nuk janë pak, nga Afganistani në Kosovë, Letoni, Mali, Bosnje, detin Egje, Sudanin e Jugut, dhe së shpejti në Irak e Ngushticën e Hormuzit. Kemi eksportuar pjesën më vitale dhe të mirë të Shqipërisë sonë.

Vajzat dhe djemtë tanë me uniformë janë krenaria dhe dinjiteti i vendit të tyre. Edhe falë përkushtimit që ata tregojnë, Shqipëria sot ka fatin të jetë vend “pritës” i stërvitjes më të madhe të dekadës në rajonin e Ballkanit.

Gjatë stërvitjes “Defender Europe 21” do të bëhet testimi dhe koordinimi me autoritetet aleate i përdorimit të aeroporteve, porteve, hapësirës ajrore dhe detare të Shqipërisë si Vend Pritës. E thënë më qartë: e gjithë puna e 12 viteve si anëtare me të drejta të plota në NATO për të arritur standartet e kërkuara do të testohet sot! Kjo është kritike në ambientin aktual të sigurisë, për të siguruar Lëvizshmërinë, Zhdërvjelltësinë dhe Besueshmërinë e Trupave në Zonën e Pergjegjësisë së SACEUR-it. Ai duhet të mbrojë popujt dhe territoret aleate, pa vonesa dhe në kohën e duhur.

Nuk kam as më të voglin dyshim se puna kolosale do të shpërblehet dhe Shqipëria do të dalë faqebardhë nga kjo sprovë jo e lehtë.

Të nderuar pjesëmarrës,

“Defender Europe 21” dëshmon për vëmendjen dhe përkushtimin që Aleanca dhe në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara kanë për rajonin tonë. Kjo stërvitje është një mesazh i qartë për popujt e Ballkanit. E ardhmja e tyre e vetme është integrimi i plotë në strukturat euro-atlantike. Çdo hezitim, devijim, ndikim përtej kësaj rruge është thjesht humbje kohe. Por, kjo është dhe një mesazh për ato vende dhe forca “dashakeqëse” dhe rivale të vlerave tona të përbashkëta. Falënderoj Shtetet e Bashkuara që zgjodhën Shqipërinë si përçuese e këtyre mesazhave të shumëfishta strategjike.

I uroj nisje të mbarë dhe shumë sukses “Defender Europe 21”.

Inkurajoj Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, vajzat dhe djemtë tanë në uniformë, të japin maksimumin e tyre në këtë sfidë!

Jam i bindur se kjo stërvitje do të shkruajë një faqe të re në historinë e Lidhjes Trans-Atlantike, por edhe të miqësisë sonë të vyer me Shtetet e Bashkuara.

Ju faleminderit! Do qëndrojmë Krah për Krah!”, tha Peleshi.