.

Plagosja e policit bashkiak, rrëfehet gruaja që jetonte me qira në të njëjtën banesë me Mikael Kurtin: Si ndodhi ngjarja

Pas ngjarjes që ndodhi pasditen e djeshme në lagjen “Kushtrim” në Berat ku një polic bashkiak u plagos me sqepar në dorë, ka reaguar Burbuqe Elezaj, gruaja që ishte futur prej disa vitesh së bashku me djalin e sëmurë në një shtëpi me Mikael Kurtin, ku qiraja e shtëpisë paguhej nga bashkia.

Pas prishjes së shtëpisë në fshatin Palikësht nga përmbytjet dhe më pas nga tërmeti, Burbuqja dhe djali i saj i sëmurë janë strehuar nga bashkia, fillimisht në konviktin e vajzave të shkollës mekanike në lagjen “Dëshmorët e Kombit” ku u nxorën me forcë nga policia, më pas tek Stadiumi Tomorri dhe prej disa vitesh në një ndërtesë dy katëshe në lagjen “Kushtrim”.

“Mua më sollën me djalin në këtë banesë dhe disa muaj më vonë në një nga dhomat e shtëpisë sollën e strehuan edhe Mikaelin. Nuk e kuptoj sesi bashkia solli për të jetuar një burrë në një shtëpi ku jetoja unë me djalin dhe pa burrë. Fillimisht u tremba, por Mikaeli ishte njeri shumë i mirë dhe nuk ka shfaqur asnjëherë probleme. Dje erdhën rreth 15 punonjës të bashkisë për ta nxjerrë me forcë nga dhoma duke i thënë “dil se e ke shtëpinë tënde gati, na çelësat”.

Dëgjova Mikaelin që po i thoshte se shtëpia ishte shqyer dhe pa derë, filluan debatet dhe më pas pashë disa pika gjak që po rridhnin nga dora e njërit nga policët bashkiak. Pastaj erdhi furgoni dhe Mikaelin e rrahën keq policat dhe e futën brenda në mjet”, -ka thënë Burbuqe Elezaj. Ajo ka deklaruar se, Mikaeli nuk ka asnjë problem mendon siç pretendojnë ta nxjerrin dhe se askush nuk e kishte lajmëruar më parë se duhet të dilte nga dhoma./BW