.

“SHBA e kishte parashikuar fitoren e PS”- Analisti: Nëse opozita njeh zgjedhjet hapen negociatat me BE


Analisti Genc Burimi thotë se SHBA e parashikonte që Partia Socialiste do të fitonte zgjedhjet e 25 prillit dhe opozita do të refuzonte, prandaj dhe thirrjet e ambasadores Yuri Kim ishin të herëpashershme për arritjen e një bashkëpunimi.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, Burimi u shpreh se nëse PD dhe LSI njohin zgjedhjet atëherë Shqipërisë do t’i hapen negociatat me BE.

“Jemi në situatë të cilën e prisnim, e prisnin këtë situatë. Edhe ambasadodrja amerikane me thirrjet, dukej se e kishte parashikuar që PS do të fitonte dhe opozita do të refuzonte. Kjo po ndodh.

U pa në një fare mënyre se një ditë pas zgjedhjeve, Ilir Meta kërkoi të luajë kartën e qetësimit, por të nesërmen kur PS u hodh në mësymje, sot Meta hoqi maskën dhe tha që zgjedhjet u blenë.

Po kërkon si Trump, që gjithçka të rinumërohet. PD është pak më e tërhequr. Basha ishte i qartë kur tha se beteja vijon, zgjedhjet u vodhën, u ndryshuan në mënyrë të pandershme me Kodin Elektoral dhe u përdorën koncesionet për blerje votash. Basha priti momentin e deklarimit të humbjes nga KQZ për të thënë që zgjedhjet s’janë të ndershme. PD e tërhequr, nuk e di nëse do luajë kartën e mosnjohjes së zgjedhjeve duke hyrë në konflikt me SHBA, apo do të kërkojë rinumërim.

Jemi apo s’jemi në krizë politike. Nëse PD nuk njeh zgjedhjet, do të thotë që mos hyjë më në parlament, të shtyhet sërish tryeza e parë ndërqeveritare për çeljen e negociatave. Kjo mund të jetë drama e radhës.

Problemi i vetëm i Ramës është hapja e negociatave. Konfrontimi me këto dy parti do e çojë Shqipërinë në fazë të rrezikshme. Po nuk u hapën negociatat tani, ashtu siç e ka ngutshmërinë PS për të hequr Metën, ashtu e ka dhe Franca me Gjermaninë për të futur tani Shqipërinë.

Nëse PD dhe LSI i njohin këto zgjedhje hapen negociatat. As ju, as unë, nuk e kanë marrë ende vendimin, prandaj ishte veprimi shumë i zgjuar i Ilir Metës, vetë SHBA numëroi votat”, tha Burimi./BW