.

Zgjedhjet/ Ja sa qytetarë do mbeten pa votuar për shkak të infektimit me covid

Protokollet antiCovid nuk lejojnë që të infektuarit t’u drejtohen qendrave të votimit

Zgjedhjet e 25 Prillit do të jenë ndryshe nga ato të viteve të mëparshme, pasi për shkak të pandemisë së Covid-19 ato zhvillohen në kushte disi të pazakonta.

Mbi 23,600 qytetarë nuk do mund të votojnë pasi rezultojnë raste aktive me koronavirus në të gjithë vendin.

Më konkretisht mbi 17 mijë persona të infektuar janë vetëm në Tiranë.

Po ashtu në Fier janë mbi 2 mijë të infektuar, mbi 870 në Durrës, në Shkodër mbi 700 persona pozitivë me koronavirus. Një numër i konsiderueshëm qytetarësh positive janë edhe në Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Dibër, Kukës, Elbasan, Berat dhe Lezhë.

Ndërkohë pak ditë më parë Ministria e Shëndetësisë ka publikuar edhe  protokollin lidhur me masat antiCovid-19 për zgjedhjet e 25 Prillit.

Në pikën e parë të protokollit thuhet se punonjësit e zgjedhjeve dhe votuesit që kanë ethe, simptoma të frymëmarrjes ose nëse mendojnë se janë të prekur me Covid, duhet të qendrojnë në shtëpi.

Në protokollin e publikuar theksohet se sallat që do të përdoren si qendra votimi duhet të kenë hyrje dhe dalje të ndryshme në mënyrë që të respektohet distancimi fizik.

Çdo votues duhet të jetë i pajisur me maskë dhe kutitë e votimit duhet të jenë të vendosura të paktën 2 metra larg vendqëndrimit të anëtarëve të komisionit, po ashtu dhe dhomat e fshehta të votimit.

Klan News