.

Një ditë para zgjedhjeve të 25 prillit. Sot heshtje zgjedhore, shqiptarët zgjedhin nesër qeverinë e 4 viteve të ardhshme

Politika shqiptare ndodhet sot në heshtje zgjedhore, pas një muaji fushate elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Kështu, këtë të shtunë nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore përmes medias apo zhvillimit të mitingjeve e veprimtarive të tjera zgjedhore të partive ose kandidatëve.

Nëse ata shkelin rregullin e heshtjes zgjedhore, gjobiten nga KQZ me 500 mijë lekë dhe ankimi i vendimit për gjobën nuk e pezullon atë. Ndërkohë, ditën e nesërme, 25 prill, shqiptarët do iu drejtohen kutive të votimit, që prej orëve të mëngjesit, e deri në mbrëmje, për të zgjedhur qeverinë e re, që do t’i drejtojë për katër vitet e ardhshme.

Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë, e ndërsa opozita, e përbërë nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe disa parti të tjera të vogla aleatë, kërkojnë rikthimin në pushtet pas 8 viteve në opozitë. Në këto zgjedhje, në garë janë futur edhe disa parti të reja, si Nisma Thurje, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit apo të opozitarëve që kanë krijuar forca të reja politike. Në zgjedhjet e 25 prillit garojnë 1841 kandidatë për deputetë, 39.76% e të cilëve janë femra. Në këto zgjedhje janë 3.588.869 shtetas shqiptarë me të drejtë vote, ndërsa 107.024 të rinj do të votojnë për herë të parë.

Zgjedhjet parlamentare të këtij viti zhvillohen në kushte pandemie, ku çdo votues do t’i nënshtrohet një protokolli të rreptë për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ku mbajtja e maskës dhe distanca janë të detyrueshme, ndërsa nuk do të lejohen të votojnë personat e infektuar me virusin e rrezikshëm. Nga ana e saj, Policia e shtetit garantoi marrjen e masave për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Edhe përfaqësuesit e misioneve diplomatike në Shqipëri gjatë gjithë muajt të fushatës zgjedhore, ju kanë bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.