.

Denoncimi i qytetares në Divjakë, Meta: Prokuroria dhe SPAK të marrin masa urgjente. Çdo mosveprim ju ngarkon me përgjegjësi të plotë!

Pas pretendimit dhe denoncimit në media të Elsa Bitës, banore e qytetit të Divjakës, e cila deklaroi përmes një rrëfimi nga spitali ku po merr mjekim, se drejtori i policisë së këtij qyteti, e ka dhunuar, vjen edhe reagimi i Presidentit Ilir Meta.

Ky i fundit, përmes një postimi në rrjete sociale i bën thirrje Prokurorisë dhe SPAK të hetojnë dhunën e ushtruar ndaj Bitës. Meta gjithashtu, shton se policia e shtetit duhet të arrestojnë autorin apo autorët e ngjarjes në fjalë.

“I bëj thirrje Prokurorisë dhe SPAK të hetojë urgjentisht dhunën kriminale të ushtruar sot ndaj zonjës, Elsa Bita në Divjakë.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit të arrestojë urgjentisht autorin apo autorët e dhunës, cilëtdo qofshin ata.
Çdo mosveprim, ju ngarkon me përgjegjësi të plotë për çdo akt dhune në vijim.
Nesër duhet të jetë Festa e Demokracisë të një vendi që e meriton anëtarësimin në Bashkimin Europian”, shkruan Meta.