.

Meta e fton për ballafaqim live së bashku me Yuri Kim, ja si përgjigjet kryeministri Rama

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur në “Open” në Top Channel, Presidentit Ilir Meta, i cili nga një studio tjetër televizive i ka bërë thirrje që të dalin në një ballafaqim së bashku.

Rama thotë se Meta është bërë gazi i botës dhe e cilëson si “dordolec” që ka mbetur në Shqipëri në vitin 2021 dhe sillet si të marrët në lagje që kërkon të takohet me njerëzit.
Rama: Çfarë ftese është kjo? Çfarë është ky njeri që fton njerëzit live? Ka dalë si ata më fal për shprehjen, ata të marrët në lagje që thonë hajde zbrit poshtë të flasim bashkë, hajde zbrit këtej të takohemi bashkë, hajde ulu ku të duash ti, hajde si e ke. President është ky? Ky është gazi i botës, ky është turp kombëtar, shoqëror, turpi i çdo familje që ka fëmijë. Je në metro tani, një i dehur që thotë hajde të të ftoj këtu. Po ç’është ky hall i madh në 2021, Shqipëria me këtë dordolec.

Mbrëmjen e sotme, ambasadorja amerikane i kërkoi Presidentit Ilir Meta të ndalet duke i cilësuar të papranueshme deklaratat, ku ai i kërkon qytetarëve që të “mprehin sëpatat e sfurqet” për të mbrojtur votën në 25 Prill. Meta tha se reagimi i saj ishte i turpshëm dhe i ftoi të shkojë së bashku me Ramën në emision për tu ballafaquar para shqiptarëve.

Në postimin në rrjetet sociale, ambasadorja e SHBA shtoi se ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e fjalëve dhe veprimeve të tyre.
Kim: Është e papranueshme për këdo që të kërcënojë se qytetarët do të marrin “sfurqet” në 25 Prill ose nëse nuk u pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë dënim. Ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e fjalëve dhe veprimeve të tyre. Ndal!

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidentit Ilir Meta i cili nga një studio televizive i është përgjigjur që të mos mbështesë më Ramën dhe të mos ndërhyjë më në punët e brendshme të Shqipërisë.
Meta: Tani live sapo me shkruajti Ambasadorja Yuri Kim per te mos permendur me cfurqet. I them Ambasadores amerikane live qe te mos marre me ne mbrojtje Edi Ramen. Meqe me dergoi live sms i them Ambasadores Amerikane mos e mbeshtet me Edi Ramen. Meqe jam transparent po ju them edhe nje fakt qe Ambasadorja Amerikane më ka kërkuar mua si President, një ditë para mbledhjes së KED-së të pranoj unë Adrian Dvorani. Këtë ajo e kërkoi jo në emër të Amerikës, po në emër të Edi Ramës. E perqafoj ambasadoren amerikane dhe i them boll nderhyre ne punet e brendshme te Shqiperise ne kete menyre te njeanshme. Deklarata e Yuri Kim eshte nje turp dhe e ftoj Ambasadoren te vije tani live ne studio bashke me Edi Ramen te ballafaqohemi para shqiptareve.