.

Makina me para në Maqellarë/ Rama: Ai person nuk ka lidhje me PS, në 2015 ka qenë i punësuar nga deputeti i LSI

Kryeministri Edi Rama ka komentuar në emisionin “Open” incidentin në Maqellarë të Dibrës, ku u ndaluan nga simpatizantët e PD-së disa persona në makinë me para.

Rama thotë se personi që u kap nuk kishte lidhje me PS, por në vitin 2015 rezulton se është punësuar nga deputeti i LSI, Përparim Spahiu. Ndër të tjera, ngre dyshimin se mund të jetë i kundërshtarëve që kërkon të hedhë baltë ndaj PS në këtë mënyrë.

Rama thotë se ai person është nën hetim, është ndaluar nga policia dhe hodhi akuza se LSI është partia që ka mekanizëm blerjen e votës.

Sulo: Çfarë ishte incidenti i Maqellarës?

Rama: Sot kam më shumë informacion, ka bërë deklaratë dhe shtabi elektoral i Dibrës. Fakti që ka njerëz që punojnë nëpër bashkira janë shumë, por ne asnjëherë nuk jemi sjellë dhe sidomos pas zgjedhjeve të 2019 me fshesë në dorë. Shtabi e ka sqaruar se personi nuk ka lidhje me strukturat e PS dhe aktivitetet e PS. Në 2015 është punësuar nga deputeti i LSI, Përparim Spahiu dhe është një krushk. Së treti, nuk do të thotë se ka qenë duke blerë vota për LSI. Po të bëheshin hetimet dhe gjyqet me kaq pak, nuk do kishte nevojë për prokurori dhe gjykatë. Mund të mbajë posterat e dikujt tjetër dhe të bëjë punën e dikujt tjetër.

Sulo: Kishte lista të një fshati.

Rama: Çfarë do të thotë?

Sulo: U nisën të blejnë vota.

Rama: Nuk flet dot politikisht duke thënë se janë fakte. E para nuk më kërkon dot përgjegjësi edhe sikur të jetë si thua ti sepse edhe nëse ka individë të caktuar, ata nuk kanë asnjë lloj trajtimi të ndryshëm dhe për mua ata individë e kanë vendin në burg. Ai person nuk ka lidhje me strukturat e PS. Edhe unë mund të marr posterat e kandidatit të kundërshtarit dhe të bëjë punën e tjetrit. Është nën hetim, është ndaluar.

Këtu që të jem i qartë, makina me këta persona çfarë do gjëje që të ishin duke bërë është një problem shumë më i vogël se dalja e grupeve para militare duke kërkuar llogari se kush janë e çfarë kanë. Kjo është të duket sikur kanë ardhur fiset Hutu, Tuci, Zulu. Është e paimagjinueshme kjo. Kjo çështje është nën hetim dhe askush nuk mund të thotë që po i blinte për LSI apo kandidatit. Nëse ka një parti në Shqipëri që blerjen e votës e ka mekanizëm organizativ, kjo është LSI.